Ministria e Financave u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i shfrytëzojnë benifitet nga Ligji për Faljen e borxheve pasi që skadon më 2 shtator
“Ministria e Financave njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Ligji për Faljen e Borxheve publike për periudhën kohore deri më 31 dhjetor 2008, është në fuqi deri më 2 shtator 2016. Me këtë Ligj përfitojnë të gjithë personat, të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj Institucioneve Shtetërore dhe Kompanive Publike në Kosovë”, është thënë në komunikatën e kësaj ministrie shkruan Telegrafi.
Sipas MF-së, të gjithë qytetarët të cilët përfitojnë nga falja e borxheve publike për periudhën deri më 31 dhjetor 2008 duhet të lidhin marrëveshje me Institucionin Shtetëror apo Ndërmarrjen Publike për pagesën e borxheve.
“Në rastin kur arrihet marrëveshja sipas Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe faljen e ndëshkimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014”. /Telegrafi/