Site icon Telegrafi

Falja e borxheve, shkelen rastet sociale

Vendimit të Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve të kompanive publike nuk po ia shohin “hairin” mbi 25 mijë familje, që llogaritet se janë në asistencë sociale.

Për të përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve deri në fund të vitit 2008 konsumatorët duhet ta paguajnë borxhin ose të lidhin kontratë me institucionet për pagesë, prej vitit 2009 e këndej.

Mirëpo, një pagesë të tillë nuk mund ta bëjnë edhe familjet nën asistencë sociale, me ç’rast nuk po përfitojnë nga falja e borxheve deri në fund të vitit 2008.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Avdullah Hoti, kur kishte njoftuar për vendimin e ekzekutivit për faljen e borxheve kishte deklaruar se përfituesit më të mëdhenj nga vendimi për faljen e borxheve do të jenë qytetarët, të cilët kanë kushte më të rënda ekonomike, ndonëse ligji që ka filluar të zbatohet nuk ka paraparë kurrfarë lehtësire për rastet sociale, të cilët duhet t’i nënshtrohen ligjit në mënyrë të barabartë sikurse personat që kanë gjendje më të mirë ekonomike. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version