Telegrafi

Falja e borxheve dhe gjobave, Nimani: Pse nuk u ftua interpelancë për t’i falënderuar bizneset që paguajnë tatimet?

Shefi ekzekutiv i kompanisë Frakton, Çelik Nimani ka reaguar lidhur me thirrjen e interpelancës për ministrin e Financave, Hekuran Murati lidhur me faljen e borxheve dhe gjobave për bizneset e prekura nga pandemia COVID-19.

Nimani me anë të një shkrimi në Facebook ka pyetur se, pse nuk është ftuar asnjëherë interpelancë për t’i falënderuar ato biznese që paguajnë detyrimet financiare ndaj shtetit të Kosovës.

“Të premten ministri Hekuran Murati në interpelancë për faljen e borxheve ndaj bizneseve të prekura nga pandemia COVID-19! E bënë ndonjëherë të thirret interpelancë për t’i falënderuar bizneset që paguajnë taksa, paguajnë paga, punësojnë njerëz edhe nuk i kanë asnjë cent borxh shtetit? A bënë vetëm një herë të na përshëndetin publikisht, duke na thënë faleminderit që jemi kaq budallenj dhe kurrë nuk i kemi mbet borxh shtetit! A duhet medoemos të mbetet borxh e të mospaguhet, sepse gjithnjë vjen një moment edhe falen borxhet”, shkruan Nimani.

Kuvendi i Kosovës ditën e premte pritet të mbajë interpelancën për faljen e borxheve dhe gjobave për bizneset e prekura nga pandemia COVID-19.

Këtë e ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri duke shtuar se falja e borxheve duhet të ndodhë.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është shprehur kundër faljes së gjobave bizneseve të prekura nga situata me pandeminë COVID-19. /Telegrafi/