Jo gjithnjë, përfitimet e siguruara nga karriera e shkëlqyer janë të mjaftueshme për një standard jetese të lartë, për një ish-sportist.
Këtë e di shumë mirë Boris Becker, legjenda gjermane e tenisit botëror, të cilin Gjykata e Lartë e Londrës e shpalli të falimentuar. Shkak për këtë u bë borxhi prej 6 milionë eurosh, që kishte Becker pas një kontrate të firmosur në vitin 2015 me një bankë private.
Vendimi për shpalljen e falimentimit të Becker, që aktualisht është në rolin e komentatorit televiziv, u mor pasditen e së hënës në Gjykatën e Lartë, pas një seance që zgjati vetëm 30 minuta.
Avokatët e ish-tenistit gjerman, që tani jeton në kryeqytetin anglez, kërkuan edhe 28 ditë të tjera kohë për t’i dhënë mundësinë Becker të shiste pronat që ka në Spanjë, për një vlerë prej 6 milionë eurosh.
Por përgjigjja e gjykatëses Christine Derret ishte e menjëhershme, duke thënë se nuk ekzistonin prova të besueshme që vërtetonin se Becker do të ishte në gjendje që të shlyente borxhin e akumuluar në një kohë të shkurtër, e se për këtë ai duhej të kishte menduar më parë.