Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776 përbën jo vetëm ngjarjen më të shënuar në historinë e kombit të madh amerikan, por edhe fillimin e rrugëtimit të qytetërimit tonë dhe vlerave më të larta të shoqërisë njerëzore.
Ata dëshmuan që rruga më e drejtë për progres është rruga e lirisë dhe këtë e kultivuan si bazë fondamentale të saj.
Presidenti i ndjerë i SHBA-së, John F. Kennedy, potenconte se çmimi i lirisë është gjithmonë i lartë, por amerikanët e kanë paguar gjithmonë atë duke e sakrifikuar edhe financiarisht e ushtarakisht edhe shtetin e tyre.
Shqiptarët duhet të kujtojnë me dashuri edhe presidentin Woodrow Wilson, i cili kundërshtoi planin e Britanisë, Francës dhe Italisë për ndarjen e Shqipërisë midis fqinjëve të saj. Në Konferencën e Paqes së Parisit, 18 Janar 1919 – 21 Janar 1920, shuarja e Shqipërisë u shmang kryesisht nga përpjekjet e Wilsonit. Duhet të mos harrojmë, që po i njëjti president, në vitin 1913 e njohu pavarësinë e Shqipërisë.
Gjithashtu rol vendimmarrës ka treguar edhe John F. Kennedy gjatë vitit 1962, i cili haptas u tregoi "sovjetikëve" që nëse pushtohet Shqipëria, pasojat ndërkombëtare do të jenë shumë të rënda.
Diplomacia amerikane nuk është e njohur për gjuhë dhe retorik agresore, mirëpo kur në pyetje kanë qenë shqiptarët, diskursi retorik shpesh herë ka ndodh të ndryshohet.
Ishte vendosmëria e SHBA-ve dhe ndërhyrjes së saj ushtarake në kornizën e NATO-s që shpëtoi popullatën e Kosovës nga gjenocidi serb dhe nga lideri i egër i Serbisë – Sllobodan Millosheviq. Vuajtjet, maltretimet, terrori ndaj popullatës civile, u ndalën fal përkushtimit të presidentit Bill Clinton. Për Kosovën, ndërhyrja e NATO-s ndryshoi përgjithmonë historinë e saj dhe të shqiptarëve në tërësi.
Clinton dhe sekretarja e Shtetit Madeleine Albright nuk do të harrohen kurrë për vendimet e guximshme dhe jetike për shtetin e Kosovës që ndërmorën në pranverën e vitit 1999. Ata i dhanë kthesë historisë sonë.
Gjithashtu, duhet cekur edhe përkushtimi dhe ndihma e presidentit George Bush, i cili u tregoi gjithë botës që shteti Kosovës i përmbush gjithë standardet ndërkombëtare, për të shpallë Pavarësinë e saj. Kjo gjë edhe ndodhi më 17 shkurt të vitit 2008.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, populli amerikan dhe udhëheqësit e saj të njëpasnjëshëm, gjatë periudhave të ndryshme historike, treguan miqësi ndaj shtetit të Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve anekënd botës.
4 Korriku është festë edhe për gjithë shqiptarët. U jemi mirënjohës dhe përulemi ndaj ndihmës, përkushtimit, sakrificës që ju i ofruat shqiptarëve. Miqësia me SHBA-të është e fuqishme dhe do të duhej me qenë e përhershme.
Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin amerikan.