Falë punës së pa ndalur të bashkëpunimeve dhe njohjes ndërkombëtare dhe punës shkencore ndërkombëtare të stafit të Ndërtimtarisë dhe UBT-së sukseset vazhdojnë edhe në arenën e mirëfilltë shkencore ndërkombëtare.
Në mënyrë specifike Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë në UBT ka arritur të vendosë Konferencën Ndërkombëtare të Ndërtimtarisë UBT dhe Kosovën në hartat botërore të RILEM (Unionit Ndërkombëtar të Laboratorëve dhe Ekspertëve në Materiale, Sisteme dhe Strukturat e Ndërtimit Botëror).
Tashmë RILEM ka shpërndarë thirrjen në anëtarët e saj në mbarë botën: Japonia, Australia, Brazili, Amerika, Evropa, Azia e Afrika, duke pritur pjesëmarrje ndërkombëtare që të jetë edhe më e lartë edhe me të ftuarit që UBT tashmë ka traditë edhe në pritjen e tyre dhe vazhdimin e zhvillimit të shkencës dhe arsimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Datat e pranimit të abstrakteve do të vazhdojnë deri më 15 shtator 2023.
Kosova ka arritur edhe një sukses tjetër në arenën ndërkombëtare duke u renditur në listën e shteteve kontribuuese në RILEM, që do të ofrojë kontribut dhe ndihmë në zhvillim të fushës së ndërtimit dhe në Komitete specifike Teknike (Technical Committee), kjo me mbështetjen e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, të Drejtorit dhe Dekanit, Prof. Muhamet Ahmeti, dhe me iniciativën e prodekanit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Dr. Visar Krelani.
Kontribut të padiskutuar kanë dhënë të gjithë pjesëmarrësit në Konferencën e Ndërtimtarisë në UBT, duke filluar nga Prof. Liberato Ferrara (Itali), Prof. Jorge Isidoro (Portugali), Prof. Martins Vilintis (Letoni), Prof. Bruno Dal Lago (Itali), Prof. Marco Breccolotti (Itali), Prof. Romildo Toledo (Brazil), Prof. Peter Kopacek (Austri), si dhe të gjitha rrjetet dhe partnerët ndërkombëtarë të UBT-së.
RILEM njihet si Unioni Ndërkombëtar i Laboratorëve dhe Ekspertëve në Materialet, Sistemet dhe Strukturat e Ndërtimit, u themelua në qershor të vitit 1947, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit shkencor në fushën e materialeve dhe strukturave të ndërtimit. Sot, kuptimi i ri i akronimit RILEM (Réunion Internationale des Laboratoires et Experts des Matériaux, systèmes de construction et ouvrages) ka fokusin e tij dhe favorizojnë dhe promovojnë bashkëpunimin në shkallë ndërkombëtare me qasje të përgjithshëm në njohuri të avancuara si:
-të stimulojë drejtime të reja të kërkimit dhe hulumtimit, duke promovuar përsosmërinë në ndërtim;
-të promovojë ndërtim të qëndrueshëm dhe të sigurt, dhe
-performanca të përmirësuara dhe përfitim në kosto për shoqërinë.
Misioni i unionit është të avancojë njohuritë shkencore me qasje të lirë në lidhje me materialet, sistemet dhe strukturat e ndërtimit dhe të inkurajojë transferimin dhe zbatimin e kësaj njohurie në mbarë botën.
Sa i përket temës specifike që merret me betonin e armuar atëherë Komiteti Teknik 87-CCS merret me Analizën e gjerësisë së plasaritjeve të hershme dhe afatgjate në strukturat e betonit të armuar.
Anëtarët e këtij komiteti janë nga vende, si: Amerika, Kina, Australia, Franca, Britania e Madhe, Austria, Italia, Portugalia, ku tanimë edhe Kosova është anëtar dhe UBT njihet edhe si pjesë zyrtare duke përfaqësuar Kosovën.
Vazhdimësia e investimit të UBT-së dhe udhëheqjes së saj në ndërkombëtarizim po ashtu ka ndikim të lartë pasi që tashmë konsiderohet partner i besueshëm në bazë të punës së saj në fushën e Inxhinierisë në përgjithësi dhe në Inxhinierinë e Ndërtimit në veçanti.