Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare po organizon një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike për sektorin privat, fillimin e bashkëpunimit me Fingermarket.com për digjitalizimin e bizneseve shqiptare në Diasporë.
Siç thuhet në njoftim, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare përmes kësaj marrëveshje, së bashku me kompaninë shqiptaro-amerikane Fingermarket.com, synon të arrij digjitalizimin e të gjitha bizneseve shqiptare duke krijuar njëherazi integrimin e parë online të bizneseve nga e gjithë bota.
Fingermarket.com, në bashkëpunim me Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare e fuqizon edhe më tutje faktorin ekonomik shqiptar në nivel global, me qëllim që të digjitalizoj dhe ndërmjetësoj interesat e bizneseve.
Përmes këtij memorandumi do të promovohen online mundësitë ekonomike për bashkëpunim dhe investim në trojet shqiptare – Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të ZI – dhe në mbi 25 shtete anembanë botës ku përfshihen mbi 10,000 biznese afariste shqiptare në diasporë.
Kjo marrëveshje do të jetë themeli i tre shtyllave kryesore të bashkëpunimit që synon t’i përafroj bizneset nga diaspora me ato të trevave shqiptare pavarësisht përbërjes etnike.
Përmes kësaj iniciative do të hidhen hapat e parë drejt Platformës për Zhvillim Ekonomik, e cila do të përfshijë:
1) Platformën Digjitale 3.0 – do të digjitalizohen dhe ndërlidhen bizneset përmes Fingermarket.com;
2) Fondin për Investime 3.0 – do të krijojë investime të përbashkëta për zhvillim e bizneseve për realizimin e projekteve madhore me interes mbarëkombëtare; si dhe
3) Fondacionin 3.0 – do të ofrojë shpresë për të rinjtë që të themelojnë biznese dhe organizata fitimprurëse.