Një grua po akuzohet për abuzim të fëmijës së saj, pasi është filmuar duke vozitur veturën derisa vajza e saj 5-vjeçe e luste në rrugë që të mos e braktis.
Videon e ka filmuar një kalimtar rasti i cili mbeti i shtangur, kur pa vogëlushen duke qarë dhe lutur nënën që të mos e lë vetëm, transmeton Telegrafi.
Gruaja brenda veturës dëgjohet duke iu përgjigjur vogëlushes, por për shkak të distancës së madhe nuk dëgjohet çfarë i thotë.
Derisa vetura e saj lëviz, vajza e vogël qan me zë të madh dhe vazhdimisht vrapon pas veturës duke e lutur që mos ta braktisë.
Videoja është filmuar më 31 janar në Curitiba në pjesën jugore të Brazilit. Ndërsa ajo çfarë ka shokuar më shumë opinionin është gjakftohtësia e ëmës e cila përkundër lutjeve “më fal nënë, të lutem, më vjen keq”, ajo vazhdon rrugën sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe.
Sipas mediave lokale, vajza që i kërkonte falje nënës dhe e luste që mos ta lë vetëm, ishte kthyer pas disa sekondave për ta marrë.
Detektivi Jose Barreto nga departamenti për kujdesin e fëmijëve në policinë braziliane, ka deklaruar se kanë filluar hetimet dhe se kjo nënë pritet të përballet me drejtësinë për abuzim të fëmijës. /Telegrafi/