Riallda Muhoviq, disa kohë më parë kishte një debat të vogël me një mik të saj. Kur e kuptoi që ajo ishte gabim, kërkim-falja e saj ishte e pazakontë.
“Më fal, I am sorry, Zhao Mi Je, Üzgünüm”. Ajo i kërkoi ndjesë mikut të saj në të katër gjuhët që i flet rrjedhshëm.
“Për pesë sekonda në krejt gjuhët i kam thënë më fal dhe ai ka mbetur duke më shikuar sepse nuk e ka pritur që unë t’i kërkoj falje në të katër gjuhët”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Për Rialldën dhe motrën e saj binjake Illdën nga Prishtina, gjuhët janë të lehta për t’u mësuar. Ato janë rritur në një familje të përzier. Babai i saj është boshnjak, nëna shqiptare dhe gjyshja serbe. Meqë ato dhe motra e tyre e madhe, Irnea, janë rritur në një shtëpi ku paralelisht janë folur gjuha shqipe dhe ajo boshnjake, ato as nuk e mbajnë në mend cilën prej gjuhëve kanë filluar ta flasin së pari.
Por, për prindërit e tyre vetëm njohja e gjuhës boshnjake dhe gjuhës shqipe nuk ishte e mjaftueshme – prandaj kishin vendosur që fëmijët t’i regjistronin në shkollë fillore në gjuhën turke.
“Kur ka ardhur koha për shkollë, ne i kemi pasur tri mundësi: ose të shkojnë në gjuhën shqipe, boshnjake ose në gjuhën turke. Ideja e burrit tim ka qenë që vajzat të shkojnë në turqisht dhe unë e kam përkrahur këtë ide që ato të mësojnë edhe një gjuhë tjetër pa pasur nevojë të paguhet”, shprehet nëna e tyre, Zulfija Jakupi.
Sipas saj, ideja ishte që vajzat të mësojnë më shumë gjuhë, në mënyrë që të kenë më shumë mundësi studimi në të ardhmen. Nga njohja e gjuhëve, vajza e madhe e Zulfijes, Irnea, 24 vjeçe, që po ashtu ka mbaruar shkollimin në gjuhën turke, tani studion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qëllime përafërsisht të njëjta kanë edhe dy motrat binjake të cilat këtë vit përfundojnë shkollimin e mesëm. Të dyja synojnë që të fitojnë ndonjë bursë për të filluar studimet në universitete të njohura në botë.
Ndonëse anëtaret e tjerë të familjes Muhoviq nuk flasin turqisht, tani të tri vajzat flasin pa asnjë problem këtë gjuhë dhe njëkohësisht edhe gjuhën angleze.
“Në shkollë fillore e kam mësuar turqishten dhe as nuk më kujtohet procesi si e kam mësuar, veçse një ditë kam ditur të flasë”, shprehet Riallda.
Njohja e katër gjuhëve nuk ishte e mjaftueshme për motrën e saj, Illdën. Për një kohë ajo ishte e pasionuar pas artit korean dhe ky pasion i saj e ka bërë që të fillojë e ta mësojë edhe këtë gjuhë.
“Unë që jam duke e mësuar gjuhën koreane, gjëja më e rëndësishme është që t’i dëgjosh njerëzit që e flasin atë gjuhë. Për me mësuar një gjuhë tjetër, nuk është e rëndësishme vetëm të lexosh libra sepse libri nuk tregon se si shqiptohet një fjalë e caktuar. Duhet t’i shikosh serialet e t’i dëgjosh këngët e asaj gjuhë dhe kjo është shumë e vlefshme”, thotë Illda.
Për gjuhën e pestë që është në proces të përvetësimit ajo nuk ka paguar asnjë mësues. Illda shprehet që gjithë çfarë bën është që shikon video në YouTube ku përshkruhen rregullat gramatikore.
“E kam shikuar alfabetin se si shkruhet, gramatikën e kam e kam mësuar në YouTube. Janë shumë video pa pagesë ku tregohen këto gjëra dhe për këtë arsye nuk kam pasur nevojë të kem ndonjë profesor”.
Të dyja vajzat planifikojnë që të mësojnë më shumë dhe të mos ndalen vetëm me katër, respektivisht pesë gjuhët që flasin. Për to kjo gjë nuk është aspak sfiduese.
Që për personat që flasin më shumë se një gjuhë është me e lehtë përvetësimi i të tjerave, e thonë edhe studimet. Sipas hulumtimit të Universitetit Haifa në Izrael, individët me dygjuhësi e kanë më të lehtë ta mësojnë një gjuhë tjetër, krahas atyre që flasin rrjedhshëm vetëm një gjuhë.
Por, sipas psikologes Dafina Prokshi, aftësia për të mësuar shpejt gjuhë të tjera lidhet edhe me gjenetikën.
“Në bazë të studimeve është më tepër një faktor gjenetik sepse është vërtetuar që një pjesë e trurit është më e zhvilluar. Pra, pjesa linguistike është më e zhvilluar në këtë aspekt, andaj disa persona që nga fëmijëria e kanë të zhvilluar më shumë edhe munden të mësojnë më shumë se një gjuhë”, thotë Prokshi.
Ndonëse për disa persona kjo mund të jetë një shkathtësi e lindur, kjo nuk do të thotë që personat që kanë vullnet për të mësuar një gjuhë të huaj, nuk mund ta bëjnë këtë gjë.
“Varet shumë përveç prej aftësisë kongnitive, varet edhe nga dëshira e fortë se sa ke dëshirë ta mësosh një gjuhë. Ka shumë persona që ndjekin kurse, por nuk mësojnë sepse ndoshta vullneti shumë i madh për ta mësuar atë gjuhë nuk ekziston dhe dorëzohen shpejtë”, shprehet Prokshi.
Me aftësi të lindur ose të fituar, njohja e gjuhëve të tjera thuhet që të ndihmon të kuptosh më në thelb edhe gjuhën tënde amtare. Sipas autorit dhe gazetarit britanik, Geoffrey Willians: “Një person nuk mund ta kuptoj një gjuhë nëse së paku nuk di t’i flasë dy”. /rel/Telegrafi/