Me intonimin e himnit kombëtar filloi mbledhja komemorative për nder të Astrit Deharit, e organizuar nga Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Mjekësisë.
Suzana Manxhuka – Kërliu, dekane Fakultetit të Mjekësisë tha se lajmi për vdekjen e Astrit ishte i frikshëm.
Ajo tha se ata që e njohin për së afërmi Astritin, e njohin si njeri të dashur dhe student të dalluar, ndërkaq për ata që nuk e njohin tha se duhet t’ia respektojnë të tjerëve dhimbjen për humbjen e tij.
“Ai shkoi para përfundimit të studimeve… Kishte pasion shëndetin e popullatës, por nuk arriti ta jetësojë ëndrrën e tij… Vdekja e kobshme e ndaloi ta realizoj ëndrrën e tij…”, tha ajo.
Manxhuka-Kërliu tha se jo vetëm familja, por edhe Fakulteti i Mjekësisë e shoqëria humbën një student të dalluar dhe një njeri të mrekullueshëm, të pasionuar ndaj humanizmit.
Ajo tha se Astriti do të mbetet udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme të Fakultetit të Mjekësisë.
Në këtë mbledhje komemorative folën edhe përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, shoku i ngushtë i Astritit dhe babai i tij, Avni Dehari. /Telegrafi/