“Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë, nuk do mbete gjë në dorë, veçse vul’ e zezë në ballë” – Ali Asllani, “Hakërrim”
Tashmë opinioni është i njoftuar për dosjen “Fakulteti i Mjekësisë”, e cila në janar të këtij viti, pas burgosjes së 11 asistentëve – kryesisht nga ky Fakultet, për shitblerje notash, në cilësinë e ndërmjetësuesve – dhe reagimeve në shtyp për “blerje“ punimesh edhe nga vetë menaxhmenti i Universitetit (e për recensionet nepotiste, injorante dhe kriminale të censorëve të shpifur), kulmoi me protesta dhe “dorëheqjen” e Rektorit, të Këshillit Drejtues dhe prorektorëve. Kjo shpuri edhe tek pezullimi i konkursit, të hapur nga Universiteti, në maj 2013, për staf akademik nga ana e Ministrisë ë Arsimit, duke instaluar një udhëheqje të re të Universitetit, e që rezultoi me daljen e “Rregullores…” së re për avancime akademike (e cila nenet diskriminues të moshë (177 dhe 178), që bien ndesh edhe me vet nenin 7-të të këtij Statuti dhe alinenë 1.6. të tij, nuk i kishte abroguar plotësisht).
Kështu, ”Kandidati i cili zgjidhet për herë të parë, nuk duhet të jetë më i vjetër se 50“, e kishte zbutur me një paragraf të ri, ku thuhet se “Nuk konsiderohet zgjedhje për herë të parë kur kandidati është zgjedhur më herët sesa mosha e përcaktuar në pikën 1.6 në një pozitë në stafin e rregullt akademik të Universitetit të Prishtinës“, dhe kishte ngjallur shpresa se gjërat do mund të rregullohen dhe do të ketë një zgjidhje me të drejtë e më cilësore të stafit akademik.
Për ta vërtetuar këtë që u tha më sipër, mjafton shfletimi i Buletinit nr. 5 dhe 7-të, të Universitetit të Prishtinës, për të parë se si komisionet (ç)recensuese, censorët injorantë dhe kriminalë, i vërtetojnë “recensionet” e tyre, madje edhe me të njëjtat fjalë dhe shkronja, si edhe herën e kaluar, ashtu siç bëjnë censorët Prof. Dr. Halil Ahmetaj, i cili ushtron edhe detyrën e prodekanit për çështje mësimore, që është konflikt interesi, dhe Prof. Ass. Burim Neziri.
Këtë herë, në këtë “recension” për kandidatët e Fiziologjisë Patologjike, ka ndodhur edhe diçka më e keqe: pretendentët tjerë për asistentë nga kjo fushë as edhe nuk janë njoftuar për të rishkruajtur “Raportin e vlerësimit”, sipas formularëve të rinj, dhe janë thurur elozhe në stilin e mesitëve të lodhtë, të kohës së Baba Qemos, për dy, tashmë të përzgjedhurit e tyre: Dr. Visar Berishën, djalin e Kolë Berishës, i zgjedhur për herë të parë në kohën sa ishte babai i tij kryetar i Kuvendit të Kosovës, vlerësimi i të cilit ka degraduar nga katër publikime sa i kishte numëruar herën e kaluar (pa përmendur Revistën, vendin e botimit dhe vitin) në zero publikime, dhe Dr. Rinon Dervishin (me precedent penal, nga rasti “Medicus”), djalin e Lutfi Dervishit, i cili herën e kaluar nuk kishte asnjë publikim, e tash na del me katër4 “publikime”, tre si koautorë dhe një si autor (pa e dhënë linkun fare, ndonëse kërkohet në rubrikën përkatëse)!
Shtrohet pyetja se si ka mundur të ndodh ky permutacion, gjegjësisht ku vajtën “publikimet“ e Dr. Visarit dhe nga vijnë tash publikimet e Dr. Rinonit, meqë ky nuk është një konkurs i ri?! Përgjigja qëndron në atë se tash janë rishkruar raportet, porse Komisioni recensues nga përtacia ose nga “neglizhenca” e përdor listën e mëparshme të kandidatëve, duke i ndërruar vetëm numrin e protokollit, ndaj kemi edhe këtë diskordancë në mes të publikimeve të listuara në listë dhe “Raportit të vlerësimit”.
Kjo tregon edhe për “recensionin” dhe punën shkel e shko të grupit recensues! Ndoshta për këtë shkak, në “recensionin” e herës së parë, njëri nga anëtarët e këtij Komisioni, Prof. Dr. Gani Dragusha, nuk kishte denjuar të hidhte firmën e tij, por, këtë herë kanë viktimizuar (keqpërdorur) Prof. Dr. Suzana Manxhukën, një pedagoge e respektuar, duke vënë firmën e saj poshtë këtij “recensioni”.
Njëri nga kandidatët konkurron për herë të parë dhe është shumë e habitshme se me çfarë cilësish telepatike janë të pajisur “akademikët“ tanë, kur ia numërojnë shkathtësitë organizative, profesionalizmin, shkathtësitë e fituara dhe “prirjet për pedagog të mirëfilltë?! Kur e lexon këtë pasus, të vijnë ndërmend dy gjëra: athua “akademikët” tanë kanë shkruar recension për zgjedhje të stafit akademik apo përzgjedhje të kuadrit ushtarak dhe, si mund të jenë më të mirë se të tjerët, të përzgjedhurit e tyre, kur shumica e atyre që nuk janë futur në orbitën e censorëve, kanë notë mesatare më të lartë (mbi 9-të, njëri madje 10-të), janë më të rinj, kanë publikime më të shumta, kanë kohëzgjatje më të shkurtër të studimeve.
Por, më e keqja ka ndodhur në “vlerësimin” e stafit për mësimdhënës dhe asistentë të lëndës së kirurgjisë. Aty përbërja e censorëve të mëparshëm nuk ka ndryshuar dhe është ditur që nga fillimi se për kënd do të shkruhet recensioni. Për Dr. Dalip Limanin është deklaruar se do të shkruhet recension, meqë ai na qenka rizgjedhje, ani pse ka qenë i suspenduar nga ish-rektori Enver Hasani për plagjiaturë, dhe performanca akademike e tij – pas zgjedhjeve të mëparshme në cilësinë e profesorit asistent dhe të asocuar – lë shumë për t’u dëshiruar.
Për kandidatin tjetër, Dr. Ismet Shaqirin, profesor Mehmet Maxhuni që nga fillimi është deklaruar se do ta zgjedhë atë, ani pse performanca shkencore dhe akademike, siç do të shohim më vonë, është shumë më e varfër se e kandidatëve tjerë për të cilët është shkruar “recension” negativ. Ndërsa, për kandidatin Dr. Skender Shabani, ndonëse herën e kaluar Prof. Asoc. Mehmet Maxhuni dhe Prof. Dr. Adem Limani, nuk kishin nënshkruar recensionin për të, ndërkaq performanca akademike dhe shkencore e tij, lë shumë për të dëshiruar.
Prof Asoc. Shaban Hasi, si një nga anëtarët e Komisionit Vlerësues, paraqet përdhosje të integritetit moral dhe akademik të çfarëdo komisioni që ka erë akademizmi: ai është një i burgosur në Zvicër, për shkak të keqpërdorimit me pension invalidor; i larguar për një kohë të gjatë nga puna në Klinikë; i suspenduar nga procesi arsimor! Për arsyet e cekura më lart, si dhe për shkak të deklarimit të tij të hapur se kurrë nuk do të shkruajë recension për autorin e këtij shkrimi, kam kërkuar nga u.d. dekani, z. Salih Ahmeti, që ai të mos jetë anëtar i këtij Komisioni. Megjithatë, ai nuk e ka marrë në konsideratë kërkesën time, me motivacion se duhet patur besim në anëtarët e komisioneve recensuese(!), ndonëse Komisioni recensues për Neurologji tashmë ka dy anëtarë të rinj, pa patur kërkesë nga askush për një ndërrim të tillë (apo në rastin e Komisionit për Anesteziologji, kur është ndërruar njëri nga anëtarët e Komisionit).
Më poshtë po ua sjell, atë çfarë kanë konsideruar të vlefshme kandidatët, për zgjedhje në pozitat e synuara dhe verifikimin dhe vlerësimin e komisioneve “recensuese”.
Formular për aktivitetin hulumtues dhe shkencor; Rezultatet nga hulumtimi
A1: Punime hulumtuese të publikuara në revista ndërkombëtare me faktor ndikimi të indeksuara sipas Thomson Reuters/të listuara në ISI Web of Science (the Science Citation Index, the Social Sciences Citation Index, the Arts and Humanities Citation Index), duke përfshirë SCI-expanded dhe bazën e të dhënave SCOPUS:
1. Dalip Limani, i propozuar për profesor të rregullt: asnjë publikim, si autor i parë, e as si koautor; 2. Ismet Shaqiri, i propozuar për profesor asistent: asnjë publikim si autor i parë; dy publikime si koautor (linku është dhënë vetëm për njërin); 3. Skender Shabani, i propozuar për profesor asistent: s’ka asnjë publikim; 4. Isa Haxhiu, për të cilin është dhënë vlerësim negativ: ka 16 publikime si autor i parë (është dhënë linku) dhe 13-të të tjera si koautor (është dhënë linku);
A2: Punime hulumtuese të publikuara në revista akademike ose shkencore ndërkombëtare, që kanë shpërndarje të gjerë, përdorin vlerësimin ndërkombëtar dhe që nuk janë të përfshira në A1: 1. Dalip Limani: Një publikim si autor i parë dhe pesë si koautor (është dhënë linku); 2. Ismet Shaqiri: si autor i parë asnjë, si koautor pesë (nuk është dhënë linku); 3. Skender Shabani: asnjë si autor i parë, tri si koautor (nuk është dhënë linku); 4. Isa Haxhiu: 15-të si autor i parë (është dhënë linku për të gjitha), katër si koautor (është dhënë linku);
A3: Punime hulumtuese të publikuara në revista akademike vendore, që botohen nga Universiteti i Prishtinës ose qendrat apo institutet e tij, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë, dhe që përdorin vlerësimin ose vlerësimin nga kolegët e fushës (e që nuk janë të përfshira në A1 dhe A2): 1. Dalip Limani: asnjë si autor i parë, e as si koautor; 2. Ismet Shaqiri: katër si autor i parë, asnjë si koautor; 3. Skender Shabani: pesë si autor i parë; 4. Isa Haxhiu: 11-të si autor i parë dhe 26-të si koautor.
A4: Citime në revista ndërkombëtare të indeksuara sipas Thomson Reuters/të listuara në ISI Web of Science ose në revista me recension ndërkombëtar (A1 dhe A2): 1. Dalip Limani: asnjë; 2. Ismet Shaqiri: një citim (si koautor); 3. Skender Shabani: asnjë; 4.Isa Haxhiu: 61 citime si autor i parë.
B1: Monografi shkencore ose akademike në lëmin e ekspertizës së kandidatit: 1. Dalip Limani: asnjë; 2. Ismet Shaqiri: këtu ka përfshirë temën e magjistraturës dhe doktoratës; 3. Skender Shabani: asnjë; 4.Isa Haxhiu: Gurët koraliform, koautor.
C1: Publikim të punimeve (përmbledhje të punimeve të konferencës – Proceedings) në konferenca ndërkombëtare nga lëmi i ekspertizës së kandidatit: 1. Dalip Limani: pesë si autor i parë (nuk është dhënë linku) dhe shtatë të tjera si koautor (po ashtu nuk është dhënë linku); 2. Ismet Shaqiri: katër si koautor (nuk është dhënë linku); 3. Skender Shabani: pesë si autor i parë (nuk është dhënë linku); 4. Isa Haxhiu: pesë si autor i parë (është dhënë linku) dhe një si koautor (është dhënë linku).
D1: Patentë ndërkombëtare dhe vendore: 1. Dalip Limani: asnjë; 2. Ismet Shaqiri: asnjë; 3. Skender Shabani: asnjë; 4. Isa Haxhiu: një patentë ndërkombëtare – Modified cystoplasty, të paraqitur në “The 2-nd World Urology Congress on Contraversies in Urology (CURy), Lisbona, 2009 dhe me recension në TT med Urology (me link).
Lexoni, por s’do të besoni! Dalip Limani, i cili do të bëhet profesor i rregullt dhe ka kaluar kaq tituj akademik, rubrikën për emër dhe mbiemër, e plotëson duke i parashtuar titullin Prof. Asoc. Dr.(!). Më e keqja pason në dy rubrikat e radhës, ku siç shohim, nuk di të dallojë gradën akademike, nga ajo shkencore! Dhe, ky njeri, me titull akademik Dr. Sci(!) e titull shkencor Prof. Asoc(!), është shef i njërës prej katedrave më të rëndësishme e më të mëdha, të të gjithë Universitetit – Katedrës së Kirurgjisë.
Dhe, tash shtrohet pyetja: çfarë roli kishin “akademikët” tanë, rolin e gjykatësit (censorit) apo rolin e shqyrtimit akademik të lëndëve (recensuesit)?! Sepse, “recensioni“ i tyre është verdikt i një kolegji penal, por jo edhe vlerësim akademik, sepse aty nuk gjen as edhe një fjalë akademike, nga “akademikët“, “njohës të mirë të ligjeve!”.
Megjithatë, alineja 1.5 thotë se kandidati pretendent për profesor asistent duhet “Të ketë së paku tri vite përvojë pune në procesin mësimor në Arsimin e Lartë”. Dhe, autori i këtij shkrimi edhe pa iu llogaritur vitet e paraluftës (i angazhuar në vitin 1995 dhe i zgjedhur me recension pozitiv në vitin 1997), pra edhe që nga 2007, me kontratë të rregullt, të ndërprerë paligjshëm dhe pa asnjë arsyetim më 2009, e i angazhuar me honorar deri më 2013, paraqesin më shumë se pesë vite përvojë mësimdhënie(!). Ndërkaq alineja 1.6 e nenit 7-të thotë: ”Kandidati i cili zgjidhet për herë të parë, nuk duhet të jetë më i vjetër se 50 vjet“ dhe që sqarohet pastaj me pikën 2. ku thuhet se: ”Nuk konsiderohet zgjedhje për herë të parë kur kandidati është zgjedhur më herët se sa mosha e përcaktuar në pikën 1.6 në një pozitë në stafin e rregullt akademik të Universitetit të Prishtinës”, dhe nuk ekziston togfjalëshi “i zgjedhur me buletin“, të cilin ia shtojnë censorët e mafies “intelektuale”, qëllimshëm, për të pasur një adut që të eliminojnë, të gjithë ata që nuk futën në orbitën e tyre përzgjedhëse.
Dhe, dikush tash po rren ditën për diell, sepse në “Pasqyra e planeve mësimore dhe e personelit akademik 2007- 2008”, në faqen 202, kur jepet stafi akademik i asistentëve të rregullt të Fak. të Mjekësisë, kemi këtë shënim: “114. Dr. sc. Isa Haxhiu, Kirurgji (Mjekësi), sem. VII, 2+2, sem. VIII, 2+2, sem. IX, 2+2, sem. X, 2+2, (Stomatologji) sem.VII, 1+2, sem. VIII, 1+2, Kirurgji e përgjithshme dhe luftarake (Farmaci LZ), sem. IX, 2+2, Kirurgji me traumatologji (Fizioterapia), sem. III, 2+0“. Pra, dikush ashiqare po rren, ose “akademikët” ose Universiteti i Prishtinës. Këtë ndoshta do ta zgjidhë Gjykata!
Përzgjedhja që ka ndodhur në Lëndën e Kirurgjisë, krijon edhe asimetri të dukshme në mësimdhënie, sepse Lënda e Kirurgjisë ligjërohet e mësohet sipas kapitujve. Urologjia e cila ka fond të orëve sa Kirurgjia e Fëmijëve dhe Neurokirurgjia, ka vetëm një “profesor”, Lutfi Dervishin (me precedent penal, tashmë i dënuar me 8.6 vjet burg), pa magjistraturë e doktoratë (ka diplomën e doktorit të mjekësisë në Gjermani, por jo edhe doktoratë!), me një libër universitar ”Urologjia”, të kompiluar nga Sava Petkoviqi dhe autorë gjermanë, me një përkthim aq të dobët (për shkak të njohjes së dobët të gjuhës gjermane, siç e ka vërejtur edhe Enver Robelli, por edhe të gjuhës shqipe – I.H.)!
Ndërkohë, në lëndët e sipërcekuara, ka nga dy profesorë! Ndërkaq, tashti nga Kirurgjia Abdominale (sepse më s’ka kirurgji të përgjithshme), nëse aprovohet zgjedhja e Ismet Shaqirit dhe Skënder Shabanit, të dy kirurg të përgjithshëm (abdominal), do të ketë pesë profesorë nga kirurgjia abdominale, që do ligjëronin vetëm gjysmë fish më shumë se sa kapitulli i Urologjisë! Sipas “Rregullore për studime themelore të Fakultetit të Mjekësisë”, të vitit 2005, Urologjia ishte e ndarë në lëndë të veçantë, për ligjërim dhe mësim, por që nuk u realizua nga trysnia që bënte Lutfi Dervishi, mbi strukturat udhëheqëse të Fakultetit, për të qenë i vetmi “profesor” nga urologjia, ndërkohë që Anesteziologjia, Fiziatria dhe Ortopedia, kanë fituar pavarësinë dhe ligjërohen e mësohen si lëndë të veçanta.
Se Fakulteti i Mjekësisë është bastion i nepotizmit, plagjiaturës, shitblerjes së notave, antiakaedemizmit dhe mafisë “intelektuale”, mund të vërtetohet edhe me të dhëna tjera: vetëm hulumtoni se sa bijë e bija, nipër e dajallarë, reja e halla profesorësh, dekanësh, ish-rektorësh, ministrash, mbajnë të njëjtët mbiemra dhe janë rehatuar e pritet të rehatohen nëpër katedrat e këtij fakulteti! Hulumtoni vetëm pak dhe do t’ju tregojnë se me 300 euro merret një 6-she, me 500 euro 8-she dhe 9-she, me 1000 euro edhe 10-she, edhe poqese nuk e ke hapur asnjëherë librin e anatomisë, fiziologjisë apo edhe lëndëve tjera!
Hulumtoni në diskrecion, ndonjë ligjëratë apo ushtrim dhe do të shihni se çfarë ligjërohet e si praktikohet studenti i mjekësisë, ai që sorollatet 9.5 vjet mesatarisht, nëpër katedrat dhe ushtrimoret e këtij Fakulteti, por që kur pajiset me diplomë, dijet e tij praktike janë pothuajse zero. Ndaj, u duhet edhe gashtë muaj tjerë në ndonjë ambulantë të praktikohen, pranë ndonjë mjeku me përvojë, e tek pastaj të mësohen për të matur tensionin e gjakut, për të ordinuar terapi parenterale, për të pastruar dhe fashuar një plagë, për të vënë një diagnozë, për të dhënë ndihmën e parë!
Por, pse ndodh kështu? Ka një shprehje në psikologji: “I rrahuri, të rrahë!”, ndaj ngjashëm mund të thuhet: “I mësuari keq, të mëson keq!”. Janë vetë këta “profesorë”, të cilët kanë kryer studimet, kanë “doktoruar” duke u zvarritur e duke u shtyrë me bërryla; që janë bërë “profesorë”, edhe pasi kanë mbushur 52, 55 e 60 vite, ndonëse “Statuti…”, i 2004-ës, kishte po këto kufizime (diskriminuese!), edhe atëherë.
Janë këta “profesorë” që kur u publikua “Pasqyra e planeve mësimore dhe e personelit akademik 2007-2008“, ndonëse shumica kishin mbi 50 vite dhe ishin ngrysur si asistentë me honorarë, apo “asistentë të rinj!”, por që “Pasqyra…” e vitit 2012, i gdhiu si profesorë asistentë e të asocuar, ndërkaq ata që u ngrysën asistentë të rregullt më 2007, më 2012 u gdhinë si asistentë me honorarë, pa asnjë shpjegim, pa asnjë vendim! Kjo ngjau në kohën kur Universitetin e qeveriste “baba” Enver dhe e vazhdoi “i lyeri me bojë”, Mujë Rugova. Po të shfletoni këto dy ”Pasqyra…”, që lehtë mund t’i gjeni në internet, do të shihni se ç’masakër akademike ka ndodhur në Fakultetin e Mjekësisë dhe jo vetëm në të!
Në Kosovë ka rënë heshtja. Heshtja mbi krimin akademik, heshtja mbi mafinë “intelektuale”! Dhe, ju lutem, mos e kuptoni këtë shkrim-analizë, si angazhim për ta zgjidhur problemin tim. Jo. Unë jam vetëm njëri nga të shumtët. Krahasimi i të dhënave të mia me të përzgjedhurit është bërë vetëm sa për të ilustruar të bëmat e “akademikëve“ tanë me tituj profesorësh, të cilëve u është lënë në dorë edukimi, avancimi dhe e ardhmja e gjeneratave që po vijnë, bashkë me të edhe e ardhmja e Fakultetit të Mjekësisë, gjegjësisht Universitetit të Prishtinës!
Vargjet e Ali Asllanit, të vëna në ballë të këtij shkrimi, duken tejet të goditura për këta biçim profesorësh, që vetëm profesorë nuk janë! Dikur ishte nderë dhe ndiheshe krenar të ishe student i Mjekësisë, apo çfarëdo pjese përbërëse e këtij Fakulteti, gjegjësisht Universitetit të Prishtinës. Ndërsa, sot duhet ta thuash me gjysmë zëri, nga turpi që të zë, të thuash se je student apo çfarëdo pjese përbërëse e tij!
Meqë është kështu, le të shërbejë ky shkrim i imi, si një lutje për Ministrinë e Arsimit, në detyrë, z. Ramë Buja dhe u.d. i Rektorit, z. Anton Berishaj, për të ndaluar gorromisjen e mëtejme të këtij Fakulteti dhe Universitetit të Prishtinës nga hazarderët me tituj profesorësh! Ata që kanë në dorë edhe mund t’i kthejnë dinjitetin e dikurshëm, të para tridhjetë viteve këtij Fakulteti dhe Universiteti, unë do t’i quaja heronj të kohës sonë, ndërsa brezat e ardhshëm do t’u jenë mirënjohës dhe do mbeten përherë të nderuar e të respektuar. Sepse, “vetëm ajo që bëjmë për të tjerët, mbetet pas nesh, ndërsa ajo që bëjmë për vetën tonë, ikën bashkë me ne!“.
(Dr. Sci. Isa I. Haxhiu është urolog në QKUK)