Në këtë konkurs, sipas burimeve të Telegrafit, Fakulteti Filozofik ka kërkuar tetë asistentë për grup lëndësh në Degën e Historisë. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, e sipas raportit të publikuar në faqen zyrtare të Fakultetit, Komisioni i Fakultetit ka konstatuar se Arian janova, i lindur më 18.10.1985, i plotëson kriteret e nenit 178 të Statutit të UP-së për thirrjen asistent i angazhuar.
Ndërkaq në vazhdim të propozimit thuhet: “për shkak të një procedure gjyqësore në vazhdim, ku Janova është i përfshirë, komisioni vlerëson, se vendimin final për kandidaturën e tij duhet ta japë Senati i UP-së”.
Arian Janova ishte asistent i angazhuar në Fakultetin Filozofik edhe në dhjetorin e vitit 2013, kur bashkë me 12 asistentë dhe studentë të tjerë, u arrestua nën dyshimin se ka kryer vepra penale gjatë kohës sa ishte udhëheqës i një organizate studentore në UP.
Mbi Arian Janovën rëndojnë dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje rryshfeti për regjistrimin e studentëve jashtë listave, shitje të notave dhe angazhimin e studentëve për të hy në provime për të tjerët. Për këtë shkak ai qëndroi diç më pak se gjashtë muaj në paraburgim, ndërsa kontrata për angazhim që kishte me UP-në iu ndërpre nga rektori i atëhershëm, Ibrahim Gashi.
Tani, derisa Arian Janova mbrohet në liri, në pritje të gjykimit, Komisioni i Fakultetit Filozofik e propozon për angazhim të sërishëm në thirrje të asistentit, duke ia lënë vendimin përfundimtar Senatit të Universitetit. Mbetet e paqartë pse Komisioni rekomandon që vendimin përfundimtar ta merr Senati, kur dihet mirë se Senati merr vendim përfudnimtar për të gjitha anagazhimet.
“Në përbërje të komisionit që e ka bërë këtë rekomandim të çuditshëm janë: prodekani Dashamir Bërxulli, si dhe profesorët Afrim Hoti, Ukë Xhemaj, Hasnije Ilazi, Shemsi Krasniqi, Aliriza Arënliu, Selim Bezeraj dhe Lulzim Dragidella”, thotë burimi i Telegrafit.
Burimet e informuara mirë në Fakultetin Filozofik tregojnë se Arian Janova është i afërt me dekanin e këtij Fakulteti, Bujar Dugolli, i cili më herët ka qenë udhëheqës studentor dhe ministër në dy mandate qeveritare. Mbetet të shihet nëse Senati i Universitetit të Prishtinës do ta mbështes rekomandimin e Komisionit të Fakultetit Filozofik dhe të kthejë në procesin mësimor njeriun i cili ndiqet për vepra penale. /Blendi Devolli/Telegrafi/