Site icon Telegrafi

Faktorët e rritjes së dhunës në familje gjatë pandemisë COVID-19

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga çështjet më shqetësuese të shoqërisë, jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë.

Gjatë pandemisë COVID-19, në Kosovë ka pasur rritje të numrit të rasteve në fjalë, të cilat janë raportuar në polici dhe në institucionet që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Drejtori  i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se ndonëse kriminaliteti ka rënë gjatë kohës së pandemisë, është rritur numri i rasteve të dhunës në familje.

Sipas tij, kjo dhunë mund të ketë ardhur si pasojë e qëndrimit në shtëpi për shkak të masave të ndërmarra nga Qeveria dhe Instituti i Shëndetit Publik për ta parandaluar coronavirusin.

“Kemi pasur raste të dhunës në familje, sidomos në tre muajt e fundit. Mund të them që në bazë të analizave që jemi duke bërë, kur flasim për dhunën në familje njerëzit mendojnë se janë raste të dhunës në mes të bashkëshortëve por në shumë raste kemi pasur dhunë në familje në mes të anëtarëve të tjerë të familjes”. Ndoshta ka ndikuar edhe pandemia që janë detyruar të rrinë në familje. Ne i trajtojmë vazhdimisht varësisht prej rastit i trajtojmë por e theksoj se është një trend rritës i dhunës në familje”, ka thënë drejtori Qalaj.

Luljeta Aliut, Drejtoreshë e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi INJECT dhe aktiviste për të Drejtat e Njeriut, në një prononcim për Telegrafin a thënë se situata e izolimit në shtëpi dhe detyrimi i çifteve që të ndajnë 24 orë hapësirën e banimit, sidomos tani gjatë kohës së pandemisë e cila po zgjatë me muaj, e ka rritur mundësinë e përdorimit të dhunës ndaj anëtarëve të familjes.

“Tensionimi emocional gjatë kësaj situate natyrisht ndodhë shumë më shpejtë te personat, të cilët edhe para izolimit kanë pasur tendencë për përdorimit të forcës dhe abuzimit të anëtarëve të tjerë. Kjo situatë është ngarkesë emocionale për shumicën e njerëzve, por ne mundohemi ta menaxhojmë dhe nuk e shprehim agresivitetin dhe mllefin ndaj personave të tjerë. Ndërsa tek profilet e njerëzve me potencial të dhunshëm, pandemia ka rezultuar në eskalim më të shprehur të dhunës. Fatkeqësisht, dhuna në të shumtën e rasteve përdoret ndaj personave fizikisht më të pambrojtur siç janë gratë, fëmijët apo të moshuarit. Këta persona gjatë kësaj kohe kanë qenë në situatë shumë të rrezikshme, duke qenë të mbyllur vazhdimisht me persona të dhunshëm në shtëpi”, u shpreh Aliu.

Luljeta Aliu, Drejtoreshë e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi INJECT dhe aktiviste për të Drejtat e Njeriut

Aliu tha se rritja e numrit të raportimeve ka qenë pasojë e ngritjes së tensionimit emocional tek personat e dhunshëm edhe për shkak të izolimit. Sipas saj, potenciali i dhunshëm i fjetur në këta persona është aktivizuar dhe potencuar edhe më tej tani përmes frustrimit të tyre me izolimin gjatë pandemisë.

“Mund të ndodhë që disa prej tyre edhe e kanë humbur vendin e punës, apo edhe që situata e mbylljes me shumë persona brenda në shtëpi, ku edhe fëmijët nuk kanë vijuar mësimet si zakonisht, ka pasur për pasojë fërkime dhe përleshje më të shpeshta. Kjo e ka rritur mundësinë e shpërthimeve agresive dhe rrjedhimisht edhe ka rezultuar në rritje të rasteve të dhunës në familje. Ne si INJECT shumë herët kemi qenë aktive për të ngritur vëmendjen e institucioneve në lidhje me pasojat që mund të kishte një gjendje e izolimit dhe kemi parashikuar që do të ketë rritje, fatkeqësisht. Prandaj jemi munduar që t’i shërbejmë komunitetit duke përgatitur listimin e numrave kontaktues të institucioneve dhe të strehimoreve dhe duke ofruar shërbime si juridike po ashtu edhe psikosociale falas”, thotë Aliu.

Ndërkaq, parandalimi i kësaj dukuri shqetësuese është jashtëzakonisht e vështirë në gjendjen aktuale, sipas Aliut, e cila tha se meqë personat e rrezikuar e kanë të kufizuar mundësinë e lëvizjes  e vështirëson edhe raportimin.

Aliu theksoi se në Kosovë mungon qasja e përkushtuar institucionale për ta parandaluar dhunën në familje në mënyrë të koordinuar.

INJECT ka kërkuar që të bëhet ndryshimi I Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, për arsye se Kodi Penal, siç tha Aliu për Telegrafin, nuk e ka definuar as dhunën psikike as atë ekonomike, por i është referuar në nenin 248 Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, ku po ashtu ka munguar definimi i qartë i këtyre veprave dhe listimi i veprave inkriminuese

“Tani, me Kodin Penal është paraparë që veprat e dhunës në familje janë vepra penale dhe dënohen me gjobë DHE me burgim. Rritja e masave ndëshkuese ndaj kryesve të dhunës në familje sigurisht është një hap i parë i duhur për ta parandaluar sadopak këtë fenomen negativ. Mirëpo nevojitet një përkushtim më i madh i institucioneve, sepse parandalimi duhet të dizajnohet asisoji që të ketë ndikimin që fare të mos ndodhë dhuna. Rastet e raportuara janë kryesisht pas veprës penale të dhunës fizike. Ndërsa Kodi Penal parasheh që vepra penale janë edhe dhuna ekonomike dhe dhuna psikike. Institucionet duhet të fokusohen që pikërisht në këto dy forma të neglizhuara deri më tani nga institucionet, por edhe vështirë të identifikueshme, të ngrisin kapacitetet. Për këtë arsye ne si INJECT kemi kërkuar që të bëhet ndryshimi edhe i Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, për arsye se Kodi Penal nuk e ka definuar as dhunën psiqike as atë ekonomike, por i është referuar në nenin 248 Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, ku po ashtu ka munguar definimi i qartë i këtyre veprave dhe listimi i veprave inkriminuese”, u shpreh Aliu.

Trajtimi i këtyre rasteve duhet të ketë një rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore thotë Aliu, duke shtuar faktin se dhuna në familje është edhe një model i keq për fëmijët që e përjetojnë vetë apo edhe janë dëshmitarë të dhunës së ushtruar ndaj dikujt tjetër.

Pasojat e dhunës së ushtruar ndaj anëtarëve të familjes mund të jenë të rënda e të vazhdueshme për një kohë të gjatë, duke ndikuar kështu në jetën e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre.

„Këta fëmijë më vonë kanë predispozita të jenë edhe vetë të dhunshëm. Por edhe është vërtetuar shkencërisht që tek këta fëmijë dhuna ka për pasojë që zhvillimi i tyre kognitiv apo intelektual është më i ulët. Pra, dhuna e shkaktuar ndaj nënës së tyre apo ndaj tyre ndikon që ata më vonë të jenë më pak inteligjentë, të kenë më shume tendencë të jenë të dhunshëm dhe të kenë edhe çrregullime emocionale deri në depresion apo mendime për vetëvrasje. Ndërsa dhuna në familje që e përjetojnë gratë, shpeshherë shpien në çrregullime posttraumatike. Kësisoj, nëse shteti nuk reagon përmes institucioneve relevante asisoj që dhuna të parandalohet, në fakt bëhet bashkëfajtor në tolerimin e dhunës dhe pasojave të saj, të cilat janë degradimi shoqëror në dhunë dhe sëmundjet e ndryshme mentale. Pra, eliminimi i dhunës i shërben shëndetit mendor e rrjedhimisht edhe shëndetit të shoqërisë në përgjithësi. Prandaj institucionet duhet të kenë vëmendje të shtuar ndaj këtij fenomeni“, thotë Aliu.

Shumë qytetarë janë duke kaluar në vështirësi psikologjike për shkak të pandemisë COVID-19. Izolimi në shtëpi dhe ndërprerja e aktiviteteve të tyre të përditshme ka bërë që kjo kohë të jetë mjaft stresuese për ta.

Madje, në dy mujorin e pandemisë, në Kosovë u rrit dhuna në familje, po ashtu gjatë kësaj kohë u raportuan edhe dy raste të vetëvrasjes.

Lidhur me këtë temë për Telegrafin ka folur psikoterapeuti, Yll Avdijaj.

Lexo po ashtu Pasojat e COVID-19 në shëndetin mendor, psikoterapeuti Avdijaj tregon se me cilat probleme mund të ballafaqohet shoqëria

Ai shpjegoi në detaje si ka ndikuar pandemia COVID-19, në shëndetin mendor të qytetarëve.

Yll Avdijaj – Psikoterapeut

Avdijaj ka thënë se tani është koha që të durohet një e keqe e vogël, që t’i shmangemi një të keqe më të madhe.

“Përveç të infektuarve të cilët po kalojnë këtë gjendje të rëndë, nuk janë të vetmit të prekur, sepse kjo pandemi, ka prekur edhe shumë dimensione tjera jetësore, gjë që ua ka vështirësuar funksionimin e zakonshëm qytetarëve, duke ua ndryshuar rrjedhën e stilit jetësore të përditshëm, të cilin e kanë pasur më herët. E gjithë kjo, padyshim se do të rezultojë me vështirësi të shumta në njerëz, të cilët do ta kenë të vështirë përballimin e kësaj situate të tashme dhe atyre problemeve që do të shfaqën pasi të kalojë kjo pandemi”, deklaroi ai për Telegrafin.

Avdijaj tha se shqetësuese në këtë kohë janë edhe pyetjet se çfarë do të ndodhë pas pandemisë.

Nga ana tjetër, përveç dhunës në familje, Aliu ka theksuar se përveç dhunës në familje, dhunë ka edhe nga ana e institucioneve, e se çka nënkupton me këtë e ka sqaruar më detajisht në prononcimin e saj për Telegrafin.

“Përpos dhunës në familje, në rastet e grupeve të cenueshme siç janë gratë, të moshuarit, të varfrit, minoritetet dhe pjesëtarët e komunitetit LGBTI+, ne shpesh herë në Kosovë kemi evidentuar edhe dhunë nga ana institucioneve, e cila nuk nënkupton se duhet të jetë vetëm fizike. Dhuna institucionale nënkupton diskriminimin e këtyre kategorive, i cili pastaj shpien në viktimizim sekondar, apo riviktimizim, pra viktima nuk ka përjetuar vetëm dhunë në familje, por është viktimizuar edhe nga institucionet e rendit dhe ligjit, të cilat me apo pa vetëdije ia mohojnë apo shkelin të drejtat. Puna jonë si INJECT është fokusuar që nga fillimi në shpalosjen e po kësaj forme të dhunës, e cila bëhet nga institucionet e shteti karshi qytetarëve të saj dhe është forma më e vështirë për ta luftuar, sepse është një sistem i tërë. Por beteja ndaj dhunës, ndaj primatit të forcës dhe ndaj patriarkatit nuk mund të fitohet duke e luftuar vetëm në njërin dimension të shpërfaqjes së tij. Si shoqëri dhe si shtet duhet t’i mobilizojmë forcat dhe resurset që ta luftojmë dhunën nga shumë kënde dhe të krijojmë mekanizma për parandalimin e saj që në thelb“, tha Aliu.

“Raporto dhunën, shpëto jetë. Nëse jeni viktimë e dhunës në familje, lajmëro rastin në institucionin më të afërt:Policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale, Strehimorja “Liria”, Njësia për të Drejtat e Njeriut – Komunë, Prokuroria, Qendrat e Mjekësisë Familjare, Gjykata, Mbrojtësi i Viktimave (Objekti i Prokurorisë), Ndihma Juridike Falas (Objekti i Prokurorisë). /Telegrafi/

Exit mobile version