Telegrafi

Fakte dhe statistika për Ajaxin dhe Tottenhamin në Ligën e Kampionëve

(Foto: Dean Mouhtaropoulos/Getty Images/Guliver)

Ajaxi është nikoqir i Tottenham Hotspur në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Lugës së Kampionëve që zhvillohet në Johan Cruijff ArenA. Ekipi holandez fitoi me rezultat 1-0 në Londër dhe është në pozitë më të mirë t’u kualifikuar në finalen e Madridit.

Më poshtë jua sjellim disa fakte dhe statistika për këto dy skuadra:

Vetëm një nga 17 skuadrat e mëparshme që e ka humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në shtëpi, është kualifikuar tutje. Ka qenë pikërisht Ajaxi në sezonin 1995/1996 kur kishte pësuar 0-1 nga Panathinaikosi, por në udhëtim kishte fituar 3-0.

Ajaxi do të përpiqet të kualifikohet në finale të garës më të madhe evropiane për herë të parë që nga viti 1996 (kur humbi nga Juventusi), ndërsa Tottenhami do të bëhet skuadra e 40-të evropiane që arrin në një finale të kësaj gare, të cilën mund ta prekë për herë të parë në histori të klubit nëse e eliminon ekipin holandez.

Dy ndeshjet e mëparshme të Tottenhamit si mysafir kundër klubeve holandeze, kanë përfunduar baras me një total prej 10 golash. Po ashtu, që nga fillimi i vitit 2018, Spursat e kanë fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e Ligës së Kampionëve në udhëtim (1-0 kundër Borussia Dortmundit), ndërsa i kanë barazuar tri dhe i kanë humbur dy ndeshje.

(Foto: Mike Hewitt/Getty Images/Guliver)

Humbja më e madhe e Ajaxit në shtëpi ka ndodhur pikërisht nga Tottenhami në vitin 1981. Spursat fituan me rezultat 3-1 në Olympisch Stadion, me golat e Mark Falco (dy) dhe Ricky Villa (një).

Ajaxi nuk ka fituar në tri ndeshjet e fundit në shtëpi në Ligën e Kampionëve (dy barazime, një humbje). Në rast të kualifikimit, mund të bëhet klubi i katërt me më së shumit fitore në udhëtim që luan në finale që nga Manchester Unitedi (2010-11), Juventusi (2016-17) dhe Real Madridi (2017-18).

Duke i përfshirë edhe kualifikimet, klubi holandez tashmë i ka zhvilluar 17 ndeshje në Ligën e Kampionëve (gjashtë në kualifikime dhe 11 në fazën grupore dhe të eliminimit direkt), më shumë se çdo skuadër tjetër. Nga këto ndeshje, ata kanë regjistruar vetëm një humbje (nga Real Madridi në shtëpi, 1-2, në të tetën e finales).

Në përballjen e parë kundër Ajaxit, Tottenhami dërgoi vetëm një goditje në kuadratin e portës që është edhe statistika më e ulët në një ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Në mesin e gjysmëfinalistëve të tjerë të këtij sezoni, Ajaxi është i vetmi klub që ka shënuar gola në secilën ndeshje.

(Foto: Dean Mouhtaropoulos/Getty Images/Guliver)

Hakim Ziyech ka shënuar ose ka asistuar në katër prej pesë ndeshjeve të Ajaxit në fazën e eliminimit direkt këtë sezon (dy gola, dy asistime). Ai ishte arkitekt i golit të Donny van de Beek në Londër.

I suspenduar në ndeshjen e parë kundër Ajaxit, Son Heung-min i ka shënuar gjysmën e golave të Tottenhamit në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve (katër nga tetë). Ai është aziatiku me më së shumti gola në histori të kësaj gare (12). /Telegrafi/