Te Paris Saint Germain, Angel Di Maria, ka gjetur formën dhe mbi të gjitha qetësinë që i mungonte, në periudhën kur ishte pjesë e Manchester United.
Te Djajtë e Kuq, futbollisti argjentinas kaloi një sezon të vështirë pasi me Louis Van Gaal në drejtim ai kishte shumë pak hapësira në formacion.
Në një intervistë ai fajësoi pikërisht trajnerin holandez se nuk e aktivizonte në pozicionin e tij të preferuar dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore për formën e dobët të shfaqur nga Di Maria gjatë periudhës që ishte pjesë e United.
“Është e vështirë t’i thuash disa gjëra, por nuk kam rrugë tjetër. Unë u largova nga Manchester United sepse ajo skuadër edhe sot vazhdon të luajë në të njëjtën mënyrë që nuk mund ta çojë asgjëkund”.
“Nëse vazhdon me këto ritme United do të mbetet jashtë Championsit dhe vështirë se do të ketë shanse të fitojë titullin kampion edhe në të ardhmen. Për paraqitjen time të dobët aty nuk besoj se ishte faji i shokëve i skuadrës, por i trajnerit pasi ishte ai që ma ndryshonte pozicionin në fushë nga ndeshja në ndeshje”.
“Gjithsesi nuk dua të flas më për Djajtë e Kuq. Tashmë jam pjesë e Paris Saint Germain-it dhe jam transferuar te kjo skuadër për të fituar trofe”, ka thënëe Di Maria.
Angel Di Maria u transferua nga Manchester United te Paris Saint Germain gjatë verës së kaluar për rreth 70 milionë euro.