Institucionet mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë, aktivitetin e tyre e zhvillojnë me norma tejet të larta të interesit për kredi. Norma e interesit për kredi, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në këto institucione arrijnë në mbi 22 për qind.
Pavarësisht normës së kredive, vlera e kredive të lëshuara ka arritur mbi 106 milionë euro, nga kjo vlerë 71 milionë euro janë kredi familjare kurse mbi 30 milionë euro kredi për ndërmarrje.
Këto institucione janë organizata që ofrojnë kredi të vogla për individët ose bizneset familjare me të ardhura të ulëta, por me procedura më të thjeshta sesa bankat komerciale.
Një qytetar nga Prishtina, Behar Dërguti, tregon se ka qenë i interesuar për kredi në këto institucione, por edhe në bankat komerciale. Ai thotë se nuk ka pranuar të marr për shkak të kamatave të larta.
“Edhe bankat, por edhe institucionet mikrofinanciare kanë kamata të larta për kredi, e zgjidhë problemin për momentin, por vështirësitë financiare të përcjellin gjatë gjithë periudhës së kredisë, për shkak se duhet të paguhet kamata të larta, apo lirisht mund të them fajde në mënyrë ligjore”, ka thënë Dërguti.
Në Kosovë operojnë 18 institucione mikrofinanciare, me gjithsejtë 115 njësi, 12 nga to janë me pronarë të huaj.
Edhe ekspertë për çështje financiare, pohojnë se kamatat e kredive në këto institucione janë ekstreme. Kamatat e kredive në këto institucione i quan fajde në mënyrë ligjore, edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj.
Këto institucione në Kosovë janë të regjistruara si organizata joqeveritare ose humanitare, thotë ai, duke shtuar se institucionet kompetente duhet të veprojnë në mënyrë që të zgjidhin statusin e tyre.
Ndër të tjera, Ramosaj thotë se edhe procedurat e tepërta që kërkojnë bankat komerciale për të aprovuar një kredi, ka detyruar klientët të drejtohen në këto organizata.
“Hua-marrëseve potencial, që në shumicën e rasteve janë biznese, nuk i mbetet tjetër, përveç se t’ju paraqiten këtyre organizatave, të cilët bashkëpunojnë me klientët në mënyrë klandestine, pa dokumente, me dëshmitarë dhe forma tjera të kreditimit që nuk i njeh bota moderne”.
“Prandaj i mbetet institucioneve kompetente që mos t’ju lënë hapësirë, spekulantëve apo ‘fajdegjinjëve’ që në kuptimin klasik të fjalës janë ‘fajdegjinj’, kurse në fakt mundohen të veprojnë në kuadrin formal ligjor të Kosovës”, ka thënë Rasmosaj.
Në anën tjetër, udhëheqës të Shoqatës së institucioneve mikrofinanciare, pranojnë se kamatat janë të larta, por që sipas tyre, janë në nivel të rikuperimit të kostove ekonomike.
Drejtori ekzekutiv në këtë Shoqatë, Arsim Bruçaj, për Radion Evropa e Lirë, normat e kamatave i ka arsyetuar për shkak se, siç thotë ai, institucionet marrin vetë kredi për të dhënë kredi, pasi nuk pranojnë depozita.
“Kryesisht institucionet mikrofinanciare jo vetëm tek ne, por edhe në rajon dhe më gjerë operojnë më norma më të larta të interesit për shkak të atyre rreziqeve eventuale. Një studim i Rrjetit Evropian të Mikrofinancës, ku edhe shoqata jonë është anëtare, i publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, tregon se normat e interesit të aplikuara nga institucionet mikrofinanciare në Kosovë janë më të vogla se në shumicën e vendeve të rajonit”, tha ai.
Bruçaj tregon se institucionet mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë rregullohen, mbikëqyren dhe inspektohen nga BQK-ja, ashtu sikurse bankat komerciale.
Edhe eksperti tjetër për çështje financiare, Milazim Abazi, shprehet se autoritetet qeveritare në rend të parë duhet të rregullojnë statusin e këtyre institucioneve. Normat e interesit të kredive, sipas tij, janë shumë të larta.
“Arsye themelore është se mikrofinancat kanë procedura dhe kërkesa më të pakta për të marrë kredi. Shpesh herë nuk kërkojnë hipotekë ose ndonjë analizë të bilancit. Kështu që qytetarëve që iu duhet ndonjë shumë e kredisë shumë shpejtë drejtohen në këto institucione pavarësisht normave të larta të kredive”, ka thënë Abazi.
Institucionet mikro- financiare japin po thuajse të gjitha llojet e kredive, sikur bankat komerciale, duke filluar nga kreditë për familje, bujqësore, kredi për biznes, për renovim po ashtu edhe kredi për regjistrim të automjetit. /Rel/Telegrafi/