Derisa Halil Sulejmani i Federatës së Atletikës së Kosovës dhe Erolld Belegu i Federatës së Basketbollit të Kosovës kishin tërheq kandidaturat për nënkryetarë në shenj pakënaqësie me fitoren e Hasanit, Fadil Vokrri i kishte hyrë garës. Mirëpo, delegati i Federatës së Xhudos, ministri Memli Krasniqi u bë nënkryetar i parë me 52 vota.
Kurse, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës u emërua nënkryetar i dytë me 41 vota. Kurse, këshilltari politik i Krasniqit, Shasivar Haxhijaj, me vetëm dy vota më pak sesa Vokrri u bë nënkryetar i tretë, ndërsa Gazemend Maxhuni me 36 vota mori postin e nënkryetarit të katërt.
Burimet e “Zërit” kanë bërë me dije se Vokrri nuk i konsideron reale dhe normale këto rezultate, nga të cilat ndihet edhe i nënçmuar, për çka mund të tërhiqet nga posti i nënkryetarit të KOK-ut.
“Fadil Vokrri sipas të gjitha gjasave do të tërhiqet sepse nuk është në rregull që Memli Krasniqi të jetë nënkryetari i parë, kurse Vokrri me një bagazh të madh sportiv të bëhet nënkryetar i dytë, madje me vota thuajse të barabarta me Shasivar Haxhijajn. Paramendojeni, janë 36 delegatë që nuk e kanë votuar Fadil Vokrrin”, tha një burim i “Zërit” i afërt me Vokrrin.