“Jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të pajtohemi me familjen e të ndjerit Ruzhdi Shaqirit. Njëherë janë mbledhur “paria” e fshatit tonë që të na pajtojnë me familjen Shaqiri, por ende nuk ka asgjë në këtë drejtim”, ka thënë Fadil Geci për Gazetën Blic.
Megjithatë, sipas tij, përpjekjet po vazhdojnë edhe më tutje për pajtimin e këtyre dy familjeve.
“Së fundi, edhe “Paritë” e fshatrave tjera janë duke bërë përpjekje për pajtim me familjen e Ruzhdi Shaqirit, por ende nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, ka thënë Fadil Geci për Gazetën Blic.
Ai thotë se familja Geci ka qenë në vazhdimësi për t’u pajtuar me këtë familje.
Fadili ka folur edhe për kërcënimin që i ishte bërë Ganiut në burgun e Lipjanit.
“Ne e dimë se kush e ka kërcënuar Ganiun. Ai është një i afërm i të vrarit Ruzhdi Shaqirit, i cili është i arrestuar nën dyshimin për terrorizëm”, ka thënë Geci.
Para disa javësh, Gani Geci e kishte vrarë me katër plumba Ruzhdi Shaqirin.
Vetë Gani Geci kishte deklaruar se ai këtë akt e kishte kryer në vetëmbrojtje. Disa ditë kishte qëndruar në arrati, për t’u dorëzuar më pas EULEX-it. Ai tani gjendet në paraburgim, në burgun e Lipjanit. /Gazeta Blic/