Site icon Telegrafi

Fadil Fazliu mbetet në paraburgim, gjykata refuzon garancinë prej 2,550 euro

Gjykatësja ka vendosur që Fadil Fazliu të mbetet në paraburgim, duke refuzuar kërkesën e tij për lirim me kusht, ku ai kishte ofruar si garanci 2,550 euro.

“Duke marrë parasysh të gjitha parashtrimet e palëve, vendos që z. Fazliu duhet të mbetet në paraburgim. Arsyet janë të njëjta me ato të paraqitura në vendimin paraprak, në paragrafët 43 dhe 81-91, të cilët duhet lexuar së bashku me këtë vendim”, deklaroi gjyqtarja e procedurës paraprake.

Gjykata bëri të ditur se i akuzuari ka pranuar parashtrimet e ZPS-së për arrestimin e tij dhe do të marrë materialin e aktakuzës brenda 30 ditësh.

Lidhur me rrezikun e pengimit të procesit gjyqësor dhe përsëritjes së veprave penale, gjyqtarja konstatoi se argumentet e mbrojtjes nuk kanë kundërshtuar konstatimet e mëparshme.

Ajo theksoi se ekziston rrezik i arratisjes, ndikimit në procedurat gjyqësore dhe kryerjes së krimeve të tjera nga ana e Fazliut.

Lexo po ashtu Fadil Fazliu del para gjykatës, deklarohet i pafajshëm

Avokati mbrojtës, Michiel Pestman, kërkoi lirimin me kusht të Fazliut, duke propozuar një garanci financiare prej 2,550 euro.

“Ju kërkoj lirimin e klientit tim me garanci financiare që përputhet me tre muaj pagë të tij. Klienti im punon si koordinator në një institucion shtetëror dhe ka frikë se do ta humbasë vendin e punës nëse mbahet gjatë në paraburgim,” tha Pestman.

Avokati gjithashtu ngriti pyetjen pse njëri prej të akuzuarve të tjerë është liruar vetëm me paraqitje, ndërsa klienti i tij mbahet në paraburgim.

Megjithatë, prokuroria argumentoi se kushtet për paraburgimin e Fazliut janë të përmbushura dhe konstatimet e gjyqtares janë të sakta.

Prokurori theksoi se nuk ka rëndësi nëse një individ konsiderohet “peshk i vogël” kur bëhet fjalë për përpjekjet për të ndikuar tek dëshmitarët, veçanërisht ata të cilët janë cilësuar si vendimtarë në rastet e krimeve të luftës.

Ai shtoi se Fazliu akuzohet edhe për përfshirjen e djalit të tij në këto veprime, gjë që ngre shqetësime për ndikimin në procesin gjyqësor. /Telegrafi/

Exit mobile version