Telegrafi

Facebook do të shqyrtojë nëse fjala “shehid” duhet të censurohet në rrjetet sociale

Bordi mbikëqyrës i Meta Platforms, njoftoi sot se do të shqyrtojë moderimin e fjalës arabe “shehid”, që përkthehet në “martir”, pasi shkakton më shumë heqje të kontentit në platformat e saj se çdo fjalë apo frazë tjetër.

“Meta i kërkoi bordit këshilla nëse duhet të vazhdojë të heqë postimet në Facebook dhe Instagram që përdorin fjalën “shehid” për t’iu referuar individëve të etiketuar si të rrezikshëm ose të kenë një qasje tjetër”, u tha ndër tjera nga bordi, transmeton Telegrafi.

“Kjo është një çështje komplekse e moderimit që ndikon në mënyrën se si miliona njerëz shprehen në internet, dhe nëse komunitetet myslimane dhe arabe i nënshtrohen zbatimit të tepruar të përmbajtjes së tyre për shkak të praktikave shtrënguese të Metës”, tha Thomas Hughes, drejtori i administratës së vëzhgimit.

Moderimi i fjalës mund të rezultojë në mbizbatim, veçanërisht në vendet arab-folëse dhe mund të ketë ndikim në mbulimin e lajmeve në ato rajone, vuri në dukje komiteti dhe ftoi komentet publike për të ndihmuar në informimin e diskutimeve. /Telegrafi/