Komisioni irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave, ka hapur një hetim formal ndaj rrjetit social Facebook, për nxjerrjen e të dhënave që ka ndikuar 50 milionë persona.
Facebook deklaroi javën e kaluar se ka zbuluar një mangësi që lejonte hakerat që të aksesojnë informacionin e thuajse 50 milionë njerëzve.
“Hetimi do të shqyrtojë respektimin e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave nga Facebook, që synon sigurinë e të dhënave personale”, deklaroi Komisioni irlandez.
Sipas tyre, thuajse 10 për qind të këtyre llogarive i përkisnin Bashkimit Evropian dhe njësia evropiane e gjigantit amerikan të teknologjisë është e themeluar në Irlandë dhe rrjeti social ka zgjedhë Komisionin irlandez si rregullatorin e vetëm për çështjet e privatësisë në Bashkimin Evropian dhe për këtë Komisioni në Irlandë do të vendosë nëse do të ndërmerret një ndëshkim, përcjell Telegrafi.
Nën rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave që u prezantua në muajin maj 2018, kompanitë që pësojnë shpërndarje të të dhënave personale duhet t’i raportojnë autoriteteve brenda 72 orësh, diçka që Facebook e ka bërë.
Maksimumi i gjobës për Facebook mund të arrijë në 4 për qind të xhiros botërore, që arrin në 1.63 miliard dollarë, ndërkohë që të ardhurat totale të Facebook vitin e kaluar arritën në 40.65 miliardë dollarë. /Telegrafi/