Telegrafi

Facebook përgatit telefon të mençur!

Sipas thashethemeve të fundit të cilat u paraqiten dje në Internet, ekipi i Facebookut më në fund ka vendosur të filloj me zhvillimin e telefonit të mençur nën emër të vetin dhe të kthehet kah pushtimi i tregut mobil.

Në faqen AllThingsD kështu shkruajnë se për prodhimin e telefonit do të jetë përgjegjës HTC – sipas pohimeve ende po mendohet edhe për Samsungun, e ai do të shitej nën brandin Facebook. Momentalisht emri i koduar i kësaj pajisje celulare është Buffy (sipas vrasësit të vampirëve), por duket se planet për prodhimin e tij janë ende në fazën fillestare kështu që paraqitjen e tij mund ta presim pas 12 deri 18 muajve.

Për shkak të kësaj nuk ka më shumë informata rreth asaj se si do të duhej të duket celulari – e vetmja gjë “që dihet” është se do të duhej të punonte në një version të modifikuar të Androidit dhe se do të ketë të integruar të gjitha shërbimet e Facebookut.

Natyrisht as nga Facebook as nga HTC nuk kanë dëshiruar të komentojnë këto informata, por zëdhënësi i kompanisë së Zuckerbergut tha se “janë duke punuar me të gjithë në industrinë mobile – me operatorët, prodhuesit e harduerit, të sistemeve operative dhe developerët e aplikacioneve për ta sjellë përvojën e fuqishme shoqërore për një numër sa më të madh të njerëzve në mbarë botën”.

Pasi që ky rrjet shoqëror ka gati 400 milion shfrytëzues mobil, është e qartë se baza potenciale e shfrytëzuesve të këtij telefoni është shumë e madhe, e më së shumti do ti dedikohet tinejgjerëve dhe ata që janë “të varur” nga “Fejsi”. Bashkëpunimi i Facebookut me HTC-në në prodhimin e këtij telefoni duket i logjikshëm – bëhet fjalë për një nga prodhuesit më të popullarizuar të smartphonëve dhe për kompaninë që tashmë ka paraqitur dy Facebook telefona të vet – modelet Salsa dhe ChaCha të cilët vijnë me tastin e posaçëm për qasje në rrjetin shoqëror dhe ndarjen e përmbajtjeve.

Çfarë mendoni ju për mundësinë e paraqitjes së celularit Facebok dhe a jeni të kënaqur me aplikacionet e Facebookut që përdorni në telefonat tuaj celularë?