Site icon Telegrafi

Facebook konfirmon ndalimin e videove të manipuluara ‘deepfake’, në prag të zgjedhjeve amerikane

Facebook njoftoi masa për të mbrojtur zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës 2020 nga ndikimi i huaj dhe informacioni mashtrues.

Tani, kompania ka njoftuar se po ndalon foto dhe video të manipuluara, të referuara si ‘deepfake’, nga platformat e saj, në një veprim që synon të frenojë dezinformatat përpara zgjedhjeve presidenciale të Sh.B.A-së, më vonë këtë vit.

Ndryshimi në strategji u njoftua në një postim në blog në të cilin Monika Bickert, Zëvendës Presidente e departamentit Global Policy Management, deklaroi se “media e manipuluar” do të hiqet nëse plotëson kriteret e mëposhtme:

– Është redaktuar ose sintetizuar – përtej redaktimeve për qartësi ose cilësi – në mënyra që nuk janë të dukshme për një person mesatar dhe ka të ngjarë të mashtrojnë dikë të mendojë se një subjekt i videos thoshte fjalë që ato në të vërtetë nuk u thanë, dhe

– Është produkt i inteligjencës artificiale ose makinerisë vet-mësuese që bashkon, zëvendëson ose mbivendos përmbajtjen në një video, duke e bërë atë të duket autentik.

Firma, megjithatë, deklaroi se “kjo politikë nuk shtrihet në përmbajtje që është parodi ose satirë, ose video që është redaktuar vetëm për të hequr ose ndryshuar rendin e fjalëve.” /Telegrafi/

Exit mobile version