Kompania Facebook, do të hapë një tjetër ‘dhomë lufte’ kësaj radhe në Evropë, në përpjekje të eliminojë manipulimet me lajmet e rreme, për Zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që zhvillohen më 26 maj.
Ish-deputeti britanik Nick Clegg, që tani është shef i politikave të këtij rrjeti social, ka bërë të ditur se ky program nisë në fillim të pranverës, në zyrat që Facebook i ka në Irlandë, transmeton Telegrafi.
Gjatë një interviste për Brussels Monday, ai ka thënë se ky program do të jetë në kërkim të lajmeve të dyshimta, në mënyrë që të mos ketë presion te votuesit për këtë aktivitet të rrëndësishëm të Parlamentit Evropian.
“Duhet të shmangim pyetjet e ligjshme rreth bizneseve dhe punonjësve, në mënyrë që të evitojmë shpërndarjen e të dhënave private, të cilat më pas përdoren në forma të ndryshme” ka shtuar Clegg.
Praktika e ‘dhomës së luftës’ është treguar e suksesshme në betejën për eliminimin e lajmeve të rreme, gjatë kohës së zgjedhjeve të mes mandatit në Shtetet e Bashkuara, që u zhvillua në fund të vjeshtës, si dhe në zgjedhjet presidenciale në Brazil. /Telegrafi/