Telegrafi

Facebook fshiu përkohësisht faqen zyrtare të qytetit francez Bitche

Kompania Facebook është kritikuar për fshirjen e përkohshme të faqes zyrtare të qytetit të vogël francez, Bitche.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, algoritmi i rrjetit social ngatërroi emrin e qytetit në Mosel, në Francën veri-lindore, me fjalën fyese të gjuhës angleze.

Kryebashkiaku i Bitche, Benoit Kieffer, tha se faqja në Facebook e këtij qyteti (me 5,000 banorë) u hoq më 19 mars për shkeljen e rregullave të faqes.

Facebook me këtë rast tha se e kishte rikthyer faqen të martën pasi kishte vërejtur gabimin.

“Më 19 mars, Facebook na informoi se faqja jonë, Ville de Bitche, nuk ishte më në internet, mbi bazën se ishte ‘në shkelje të kushteve që zbatohen në faqen e Facebook-ut’”, tha Kieffer.

“Emri i qytetit tonë duket se reflektoi me një interpretim të keq”, shtoi ai.

Facebook deklaroi se e kishte fshirë gabimisht faqen dhe se e kishte rikthyer atë.

“Faqja u hoq gabimisht dhe u rikthye me shpejtësi këtë mëngjes, kur u bëmë të vetëdijshëm për këtë çështje”, tha të martën një zëdhënës i Facebook-ut për BBC. /Telegrafi/