Telegrafi

Facebook e blen WhatsApp për 19 miliardë dollarë

Facebook ka njoftuar përvetësimin e aplikacionit mobil WhatsApp për 16 miliardë dollarë. Marrëveshja përfshinë 4 miliardë dollarë para të gatshme, 12 miliard dollarë aksione si dhe 3 miliardë dollarë aksione të ekipit të WhatsApp përgjatë katër viteve të ardhshme. Shërbimi i mesazheve është jashtëzakonisht i famshëm jashtë SHBA-ve, dhe deri më tani ka arritur në 450 milionë përdorues. 

Ngjashëm sikurse me rastin e Instagram, Facebook ka thënë se WhatsApp do të funksionojë ndaras nga rrjeti social, dhe shërbimi i saj i ngjashëm, Facebook Messenger, mirëpo themeluesi i saj, Mark Zuckerberg ka thënë se kjo marrëveshje do ta “përshpejtojë lidhjen mes njerëzve, dhe përdorimin e mundësive që sjell komunikimi mes tyre”.

Më tej, Zuckerberg ka thënë “WhatsApp është afër që t’i lidh rreth 1 miliardë njerëz. Dhe shërbimet që mund ta bëjnë këtë gjë, janë jashtëzakonisht të vlefshme”. 

Nga 450 milionë përdorues sa e përdorin aplikacionin e WhatsApp, rreth 70 për qind e tyre e përdorin atë në baza ditore, thuhet në kumtesën e publikuar nga Facebook. / Telegrafi /