Facebook ka afat deri më 18 janar për të dhënë informacionet që zotëron në lidhje me një ndërhyrje të mundshme ruse në referendumin për Brexit-in, në të kundërtën do të përballet me sanksione, kërcënoi sot kryetari i një komisioni parlamentar britanik.
“Prej më shumë se një muaji kemi kërkuar këto informacione nga Facebook-u dhe duam të shohim veprime konkrete”, deklaroi Damian Collins, duke përmendur 18 janarin si datën e fundit ku përtej këtij afati gjiganti i rrjeteve sociale mund të bëhet objekt i sanksioneve.
Komisioni që ai drejton i ngarkuar për digjitalizimin, kulturën, mediat dhe sportin (DCMS) në Dhomën e Komunëve nuk ka kompetencë për të vepruar, por Collins theksoi se ka mbështetjen e ministrit të ngarkuar për digjitalizimin, Matthew Hancock.
“Komisioni nuk është i vetmi që kërkon të shohë angazhimin e Facebook-ut, qeveria gjithashtu”, tha ai për median, duke konfirmuar deklarata të bëra në të përditshmen “The Guardian”.
DCMS i kërkoi Facebook-ut dhe Twitter-it për t’i ofruar elementet e nevojshëm në lidhje me ndërhyrje të mundshme ruse, pas publikimeve që lidhen me “Internet Research Agency”. Kjo kompani në Shën Petërburg, e lidhur me shërbimet sekrete ruse, është e akuzuar për publikimin e mijëra mesazheve për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.