Telegrafi

Fabrizio Ravaneli, trajneri i skuadrës shqiptare?

Në një kohë që të gjithë te skuadra e Partizanit presin merkato lojtarësh, ajo vjen nga stoli.

Fabrizio Ravaneli është emri i bujshëm që ka nisur të qarkullojë dy ditët e fundit te skuadra e Partizanit, ai alternativë për të marrë drejtimin e skuadrës sezonin e ardhshëm.

Burime të besueshme pranë klubit të kuq kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se një nga zyrtarët e emëruar rishtas në klub ka telefonuar trajnerin e njohur italian dhe i ka ofruar drejtimin e 15-të herë kampionëve të vendit. Ish-sulmuesi i njohur i Juventusit, Lacios dhe Peruxhias prej tre vitesh nuk është në krye të asnjë skuadre dhe nuk mohohet mundësia që të nisë një aventurë në vendin tonë dhe për më tepër te skuadra e kuqe.

Gjithsesi, duhet theksuar se nuk bëhet fjalë për tratativa konkrete pasi mes palëve nuk ka pasur asnjë bisedë, por thjesht një komunikim telefonik për të lënë gjithçka të hapur në ditët në vijim. Të njëjta burime konfirmojnë se ideja për të drejtuar një klub në Shqipëri e ka joshur jo pak Ravanelin, i cili nuk ka kthyer një përgjigje direkte, por ka kërkuar më parë që të marrë informacione në lidhje me skuadrën.

Pavarësisht ftesës që i është bërë trajnerit të njohur, ai nuk ka kthyer një përgjigje, madje nuk ka lënë një afat se kur mund ta bëjë një gjë të tillë. Gjithsesi, nga kampi i kuq nuk dihet se kur mund të ketë një tjetër bisedë me Ravanelin për ta pyetur në lidhje me vendimin që ka marrë. Skuadra e fundit që italiani ka drejtuar ka qenë Ajacio në kampionatin francez në vitin 2013, por nuk ka qëndruar shumë në stolin e këtij ekipit. Më herët ai ka drejtuar edhe ekipet e të rinjve te skuadra e Juventusit. Sa i takon karrierës si futbollist, Ravaneli është një nga emrat e njohur në Seria A dhe në vitin 1996 ka arritur të fitojë edhe Champions League me skuadrën e Juventusit. Por, gjithashtu ka arritur të fitojë edhe titullin kampion me bardhezinjtë, Kupën UEFA, Superkupën e Italisë dhe Kupën e Italisë. Ndërkohë që për katër vite ka qenë edhe pjesë e ekipit kombëtar italian.