Site icon Telegrafi

Fabrika për fshesa elektrike, shndërrohet në apartamente luksoze që kushtojnë nga 700 mijë euro – në çmim përfshihet edhe një fshesë (Foto)

Gjatë vitit 1930, ishte ndërtuar kjo fabrikë ku prodhoheshin fshesat elektrike Hoover.

Pas 90 vitesh, kjo ndërtesë që ndodhte në pjesën perëndimore të Londrës, është kthyer në ndërtesë banimi me apartamente luksoze që kushtojnë deri në 700 mijë euro, transmeton Telegrafi.

Arkitektët që e restauruan objektin, ruajtën disa prej elementeve kryesore, përfshirë edhe sistemin e veçantë të shkallëve dhe shtyllat me vija.

Ish-fabrika që ndodhet në njërën prej arterieve kryesore të kryeqytetit, tani ofron apartamente të vogla që kushtojnë deri në 300 mijë euro, si dhe ato më të mëdha me nga tri dhoma gjumi dhe tarraca që janë shumë më të shtrenjta.

Megjithëse pamja e jashtme ka mbetur e njëjtë dhe duket si objektet e vjetra, brendësia e banesave është shumë moderne dhe ka nivel të lartë luksi. Për të ruajtur sa më shumë origjinalitetin dhe funksionin e dikurshëm, në secilën banesë është e përfshirë edhe nga një fshesë elektrike.

Gjatë kohës së lavdisë së saj, fabrika punësonte mbi 1,600 punëtorë, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati edhe funksion tjetër. Brenda objektit të kamufluar që të mos bombardohet, prodhoheshin edhe pjesë të fluturakeve ushtarake, që të plotësonin nevojat aeronautike.

Me ndalimin e prodhimit, objekti u vlerësua si i rëndësisë së lartë historike dhe u shit në vitin 2015, që të merr një funksion krejtësisht tjetër. /Telegrafi/

Exit mobile version