Fabrika e Tesla-s në Brandenburg tani po prodhon 4,000 vetura në javë, deklaroi kompania gjatë së hënës, dhe sipas një plani të prodhimit të siguruar dhe të rishikuar nga Reuters kjo ndodhi 3 javë përpara afatit të parashikuar.
Prodhimi nga fabrika për nga shifrat tani është një e treta e prodhimit të Model Y në Shangai, ku Tesla planifikoi të mbante një prodhim mesatar total prej 13,000 veturave Model Y në javë – rreth 1,000 njësi nën kapacitetin maksimal – dhe 7,000 njësi të tjera Model 3 në shkurt dhe mars, kjo sipas planit të prodhimit.
Tesla po planifikonte që ta rriste prodhimin në Brandenburg në 4,000 njësi në javë nga 13 marsi dhe deri në mbi 5,000 të tilla deri në fund të qershorit.
Gjiganti amerikan arriti shifrën e 2,000 njësive në javë në tetorin e vitit të kaluar dhe shifrën e 3,000 njësive në muajin dhjetor, transmeton Telegrafi.
Maksimumi i kapacitetit të planifikuar për fabrikën e Brandenburg është prodhimi i 500,000 veturave në vit, kjo duke iu afruar shifrës prej afro 10,000 njësive në javë.
Tesla në Gjermani ka filluar edhe montimin e baterive të cilat së shpejti do të përdoren në veturat e prodhuara në atë fabrikë, por javën e kaluar kishte deklaruar se pas stimujve të Aktit për Reduktimin e Inflacionit prodhimin e qelizave të baterive do ta fokusojë në SHBA.
Prodhuesi amerikan i veturave gjithashtu po përgatitet që të prodhojë edhe komponentë të qelizave të baterive si për shembull elektrodat, disa prej të cilave do të dërgohen nga fabrika e saj në Gruenheide të Brandenburg tek fabrikat e Tesla-s në Shtetet e Bashkuara, deklaroi gjatë së mërkurës Tesla.
Tesla në fakt do të përditësojë analizat mbi strategjinë e saj gjatë kësaj jave. /Telegrafi/