Site icon Telegrafi

Fabrika e ujit në Vushtrri pret rishikimin e buxhetit për t’u funksionalizuar

Qytetarët e Vushtrrisë, edhe këtë vit, do të vazhdojnë të kenë probleme me ujë të pijshëm. Kjo, edhe pse, është ndërtuar fabrika e ujit, në të cilën janë investuar më shumë se 8 milionë euro.

Kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, në një intervistë për Ekonomia Online e pohon edhe vetë se ndërtimi i fabrikës së ujit është zgjatur, ndërsa ankohet se ministritë përkatëse nuk e kanë në plan të japin para për ta finalizuar projektin.

“Fabrika është ndërtuar. Fatkeqësisht nuk kemi mundur ende ta funksionalizojmë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Financave nuk kanë paraparë mjete këtë vit për funksionalizimin e kësaj fabrike.. Kam premtime që shumë shpejt do të ndahen mjete. Po presim rishikimin e buxhetin në Qeverinë e Kosovës të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Gjatë intervistës, kryetari shfajësohet edhe për mosrealizimin e premtimit të tij për krijimin e zonave ekonomike. “Ne e kemi hartuar një projekt për zonë ekonomike, një park biznesi në fshatin Lumbardh dhe fatkeqësisht nuk kemi mundur ta jetojmë, sepse nuk e kemi pasur pëlqimin e Ministrisë së Bujqësisë që ta shndërrojmë në park biznesi, sepse është tokë në sistem të ujitjes”. /Telegrafi/

Exit mobile version