Fabrika e ujit “Kika” në Komunën e Kamenicës, ka dy muaj që nuk ka energji elektrike. Si pasojë, 20 punëtorë janë në rrezik që të mbesin pa punë. KEDS dhe pronarët e kompanisë, nuk po gjejnë ujdi për vendosjen e trafos dhe lartëpërquesit.
Ka dy muaj që fabrika e ujit “Kika” në Bujnovc të Kamenicës, po funksionon vetëm me gjenerator.
Sipas pronares së kësaj fabrike, Lumturie Murtezaj, KEDS- i i ka shkyçur nga rrjeti elektrik, sepse kërkon nga ta që të investojnë në lartëpërques dhe në trafo.
“Është e qartë se ky është një presion i qëllimshëm. Ne nuk kemi mundësi financiare të kryejmë investime në lartpërques, edhe ashtu KEDS-i kur e ka privatizua energjinë, ka pasur obligim për riparimin e rrjetit ekzistues”, thotë Lumturie Murtezaj.
Bashkëpronari i Abdullah Bajra thotë se çështjen e kanë ngritur tek të gjitha institucionet, që të paktën të bëhet ri kyçja, por, edhe pas dy muajsh nuk është bërë asgjë.
“Ne kemi paralajmëruar të gjitha institucionet, por tash kjo që po bëhet ndaj biznesit tonë është i qëllimshëm prej dy muajsh. Edhe pse trafostacioni ka kapacitet të lirë prej 150 kilovatësh, ndërsa në anën tjetër është një banor që nuk shpenzon më shumë se 5 kilovatë”, deklaron Abdullah Bajra.
Avni Marovca i cili ka 15 vite që punon në këtë fabrikë, thotë se po të mbesin pa këtë punë nuk kanë nga t’ia mbajnë.
“Nëse vazhdon kështu, edhe pronarët do të detyrohen të na largojnë nga puna dhe të shkëpusim kontratat, dhe faktikisht ne mbesim pa punë”, shprehet punëtori Avni Marovca.
Në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala nëpërmjet email-it ka thënë se konsumatori po refuzon të përmbushë obligimt e domosdoshme teknike.
“Fabrika e ujit KIKA ka aplikuar qe te rrisë kapacitetet e instaluara te saj ne 50 kW (kilovat). Lidhur me këtë kërkesë, KEDS gjate vitit 2015 I ka dhënë Pelqimin Eletktoenergjetik qe ta beje këtë. Por, ai nuk e ka realizuar këtë. Në këto rrethana, secili konsumator ka të instaluar tek njehsori edhe limitatorin, i cili nuk toleron shpenzime mbi kapacitetet e instaluara për shkak të sigurisë së sistemit. Pra, ai nuk po shkyçet nga ana e KEDS-it, por është sistemi ai qe e shkyçë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KEDS.
E sipas zëdhënës së Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti, vendimin e KEDS-it po e përkrah edhe Zyra e Rregullatorit për Energji.
“Si Komunë i jemi drejtuar ZRRE-së, por kjo e fundit ka kthyer përgjigje në favor të KEDS-it. Ne jemi drejtuar edhe Zyrës së kabinetit të Kryeministrit”, tha Margarita Rashiti.
Ndryshe, pronarët e fabrikës “KIKA” paralajmërojnë që shumë shpejtë bashkë me punëtorët do të bëjnë thirrje për protestë edhe për qytetarët, kundër vendimit të KEDS. /RTV Dukagjini/Telegrafi/