Tesla ka shumë fabrika në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që priten të hapen të reja në Kinë dhe Gjermani.
Fabrikat që tani janë funksionale ndodhen në San Francisko, në Nevada dhe në Nju Jork. Njëra prodhon makinat, njëra panele diellore dhe njëra bateritë e makinave.
Vitin tjetër pritet të hapë fabrikën e radhës në Shanghai si dhe një tjetër në Berlin.
Fabrika e Berlinit do të jetë në gjendje të prodhojë 500 mijë makina në vit, duke e kthyer kështu në një angazhim tepër serioz.
Sipas kryetarit të landit të Brandenburgut, Dietmar Woidke, Tesla do të nxis ardhjen e kompanive të tjera drejt vendit.
“Këto kompani janë rrugës për këtu. Kam dëgjuar se ka bisedime me komunitetet dhe programin rajonal të zhvillimit të biznesit”, tha Woidke për Die Welt, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se Brandenburg ndodhet aktualisht në bisedime me kompani të tjera, duke mos i identifikuar ato për shkak të marrëveshjeve të konfidencialitetit.
“Pres që njoftimet të bëhen përpara Krishtlindjeve”, shtoi ai.
Vendimi i Teslas përbën një lajm pozitiv për Gjermaninë, duke e fuqizuar pozitën si qendër e prodhimit, ndërkohë BMW dhe Daimler kanë ndërtuar fabrika të reja në Hungari gjatë viteve të fundit. /Telegrafi/