Telegrafi

Fabrika e njohur gjermane po hap filialin e prodhimit në Kosovë

Një prej investimeve më të mëdha gjermane në Kosovë, në sektorin e prodhimit.

Po afrohet hapja e fabrikës “MUNDA”, i cili do të prodhojë nga Kosova për sektorin gjerman të automjeteve, përcjell albinfo.ch.

Prodhuesi gjerman MUNDA është anëtari më i ri i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, përcjell Telegrafi.

“Pas më shumë se dy vjetësh nga kontakti i parë me Kosovën, nëpërmjet Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, gjithçka po shkon në drejtim të duhur për hapjen e një prej investimeve më të mëdha gjermane në Kosovë në sektorin e prodhimit”, njofton oda gjermano-kosovare.

MUNDA joint-venture e kompanive Aunde dhe Mentor, do të prodhojë pjesë nga sistemet e ndriçimit të tekstilit për industrinë e automobilave. Prodhimi pritet të hapet në vitin 2024.

Gjermania vazhdon të mbetet investitori më i madh në Kosovë, me rreth 587 milionë euro investime të huaja direkte nga Gjermania në Kosovë, vetëm për periudhën Janar 2018 – Prill 2023. /Telegrafi/