Site icon Telegrafi

Fabrika e mbyllur në Mitrovicë hapet sërish

Inspektorët e Komunës së Mitrovicës të cilët para dy ditësh patën ndërprerë punën në fabrikën për shkrirjen e gomave në këtë qytet me dyshimin se përveç mungesës së dokumentacionit, gjatë veprimtarisë së saj prodhon helme toksike dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve, e kanë hapur sërish sot.

Ata thanë për KosovaPress se ka ndodhur një mosmarrëveshje në mes të pronarëve dhe institucionit të Komunës, ndërsa kjo fabrikë posedon të gjitha pajisjet e duhura, nuk ndotë ambientin dhe është e kompletuar me dokumentacion.

Sokol Kelmendi, inspektor komunal, ka thënë për KosovaPress se për shkaqe teknike ka ndodhur një mosmarrëveshje mes pronarëve dhe institucionit, kështu që ditën kur është mbyllur Fabrika, pronari i saj nuk ka poseduar dokumentacionin e nevojshëm.

Sipas tij, pronari është i obliguar ta mbajë gjithmonë dokumentacionin përkatës në Fabrikë dhe ta prezantoj sa herë që ka nevojë kur vizitohet nga inspektorët.

Ai ka potencuar se teknologjia në këtë fabrikë është në nivelin e duhur dhe puna këtu nuk shkakton ndotje të ambientit.

“Ky është i kompletuar me dokumentacion, por për shkaqe teknike, ka ndodhur një mos marrëveshje në mes të pronarëve dhe institucionit. Këta nuk i kanë pasur dokumentacionin momentalisht këtu, mirëpo… dokumentacioni është kompletuar…Neve na vjen mirë që teknologjia është në nivel të duhur, i ka të gjitha pajisjet, dhe nuk ka ndotje për ambient”, ka thënë Kelmendi.

Në anën tjetër, Baki Baliu, njëri nga bashkëpronarët e kësaj Fabrike, u shpreh i lumtur që më në fund u zgjidh ky problem. Ai theksoi se nuk do ta padisë askënd përkundër humbjeve financiare të shkaktuara gjatë këtyre dy ditëve, duke thënë se është një punëtor i rëndomtë dhe dëshiron vetëm të punojë.

“Unë qysh atë ditë përmenda se me dokumentacion jam në rregull, pra ka ndodhë çka ka ndodhë, ne do të vazhdojmë… Kam humbur, por inshalla nuk humbi më shumë… Nuk e padis askend, unë jam punëtor dhe dua të punoj”, sqaroi Baliu. /KP /Telegrafi/

Exit mobile version