Vazhdimi i procesit zgjedhor, ku i dyshuari kryesor është Zahir Beqiri – Çaushi, i njohur për aferën e falsifikimit të letërnjoftimeve. Dje është marrë në pyetje dëshmitari kryesor, gazetari Lubisha Arsiq i cili storien e publikoi në javoren Fokus. Arsiq deklaroi se 105 letërnjoftime i janë dhënë në rrugë, ndërsa personi i cili ia ka dhënë i ka thënë se ka rreth 30 mijë letërnjoftime të këtilla, me të cilat kanë votuar në zgjedhje. Prokuroria e ka pyetur dëshmitarin se a njeh personin që ia ka dhënë letërnjoftimet e falsifikuara. Arsiqi nuk e ka zbuluar identitetin, duke thanë se për të burimi i informatave duhet të mbetet anonim, njofton Tv21.
“Sa i përket burimit dhe identitetit të tij, për mua konsideroj se është joparimore që të flas rreth kësaj. Sepse si e para, do t’i dekurajoj qytetarët që në të ardhmen të paraqesin vepra penale. Si e dyta, do t’i tradhtoj të gjithë kolegët, gazetarët profesionistë, e me këtë edhe profesionin e gazetarisë. Në qoftë se flas për identitetin e burimit, nuk dua që të lë hapësirë për gazetarët dhe mediat e tjera të cilët paraqiten në këtë rreth politiko – medial”, tha Arsiq.
Atë person me plot kuptimin e fjalës e konsideroj si denoncues, tha Arsiq.
“Vazhdimisht në kokë më rinë fjalët e tij “ju lutem mos e zbuloni identitetin tim, ka shumë si unë, që dinë më shumë për këtë rast, do të vijë koha do kur ata do të dalin dhe do të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur”. Këtë person me plotkuptimin e fjalës e konsideroj si denoncues dhe kam përshtypjen se atë person dikush me siguri e ka dërguar. Nëse thotë se ekzistojnë persona që dinë më shumë se ai dhe se ndonjëherë do të dalin publikisht të flasin për këtë, supozojë se ai person është vetëm si postier, gjegjësisht i dërgon ato letërnjoftime të falsifikuara”, thotë ai.
Avokati i Çaushit, Miroslav Vujiq, duke u bazuar në nenin 16 të Kushtetutës, para gjykatës theksoi se gazetarët janë të mbrojtur dhe se kanë të drejtë të mos e zbulojnë identitetin e personit që ua ka dhënë këto informata.
“Kushtetuta ju mbron juve dhe bashkëpunëtorët tuaj dhe informatat që i merrni janë të mbrojtura. Ju nuk jeni të detyruar si gazetar ta zbuloni burimin e informatave tuaja, sidomos kur këtë e bëni duke e denoncuar në polici një vepër të mundshme penale”, thekson Vujiq.
Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e personave të cilëve ua kanë keqpërdorur letërnjoftimet. Beqiri prej gjyqtares kërkoi që në seancën e ardhshme të mundësohet incizim audio – vizual dhe përderisa nuk ekzistojnë kushte për këtë, ai tha se është i gatshëm vetë ta mundësojë këtë. Beiqiri kërkoi që herën e ardhshme në seancë të jenë të pranishëm edhe Ambasadori i Kosovës, kryetari i Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Indri Sinani dhe kryetari i Komitetit për Mbrojtje dhe Drejtësi, Vane Cvetanovi. Arsyet se pse ai i kërkon këta persona, siç tha, është për shkak të trysnive që i janë bërë në burg prej personave të punësuar atje.
“Ky është një cikël i vazhdueshëm që ka ndodhur prej datës njëzetepesë. Ai akuzon persona dhe mund të tregojë emra konkret, të cilët i kanë bërë trysni dhe kanë kërkuar të nënshkruajë deklaratë se të dhëna të caktuara ose letërnjoftime të caktuara i ka marrë prej personave të caktuar”, shtoi ai.
Seanca e radhës do të mbahet më 20 maj, kur edhe do të dëgjohen dëshmitarët e tjerë, të cilëve ua kanë keqpërdorur letërnjoftimet. Gjithashtu, në këtë seancë do të jenë të pranishëm edhe ekspertë./Telegrafi/