Cesc Fabregas ka diskutuar fishkëllimat që ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona, Lionel Messi, mori nga tifozët e Paris Saint-Germain pas eliminimit të tyre nga Real Madridi në Ligën e Kampionëve.
Messi u prit ashpër nga mbështetësit e klubit gjatë ndeshjes së parë të PSG-së në Ligue 1 pas eliminimit të tyre nga Liga e Kampionëve dhe mesfushori i Monacos mendon se një lojtar i nivelit të argjentinasit nuk e meriton këtë trajtim.
“Rasti i Leos është shumë i thjeshtë. Për mua, ai ka qenë më i miri që kam parë dhe luajtur me të. Ajo që kam parë prej tij ka qenë e jashtëzakonshme”, ka thënë fillimisht Fabregas për Marca.
Fabregas ka pasur trajtim të ngjashëm nga tifozët e Barcelonës në të kaluarën.
“Më kanë fishkëllyer në Camp Nou. E di se çfarë ndodhi me PSG-në. Tifozët duan të krijojnë një moment tensioni me lojtarët”.
“Gjatë ndeshjes ata të mbështesin, kur të këndojnë emrin tënd, perfekte, por ajo që pashë një ditë më parë, tallja kur Neymar humbi topin ose fishkëllima kur ata preknin topin, është shumë e shëmtuar”.
34-vjeçari e kupton se këta lojtarë fitojnë shumë dhe tifozët mund të zhgënjehen, por ai e mbështet Messin dhe beson se do të sjellë sukses në kryeqytetin francez.
“Ata justifikohen se paguhen shumë, humbën kundër Real Madridit, kjo është mirë, por a nuk donin të fitonin? Kjo është ajo që vjen e para”.
“Me PSG-në ata nuk kanë fituar ende asgjë për momentin, por me siguri do ta fitojnë ligën”.
“Ju po flisni për një lojtar si Messi që sapo ka ardhur. PSG nuk ka pasur kurrë një lojtar të tillë në jetën e tyre”.
“Është më mirë të jesh mirënjohës, ta mbështesësh dhe të mos e shtypësh. Këtë vit apo vitin tjetër, këta djem do t’ju sjellin momente të shkëlqyera”, përfundoi mesfushori. /Telegrafi/