Telegrafi

Fabius shpreh gatishmërinë e Francës për ta ndihmuar Kosovën në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit

Kryetari i Këshillit Kushtetues të Francës, Laurent Fabius, ka vizituar Kosovën me rastin e 15 vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të vitit të 14-të gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Siç ka njoftuar ambasada franceze në Kosovë, Fabius ka shprehur gatishmërinë e Francës për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

“Laurent Fabius nënvizoi progresin e arritur nga Kosova në një kohë të shkurtër në këtë fushë dhe gatishmërinë e Francës për t’i ndihmuar institucionet kosovare që të përballen me vështirësitë që mbeten për t’u zgjidhur, të cilat ai pati rastin t’i diskutojë me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka-Nimani dhe me disa personalitete të tjera kosovare”, thuhet në komunikatën për media.

Ai gjithashtu ka përshëndetur shenjën e miqësisë që përfaqësonte ftesa e tij ndaj Këshillit Kushtetues dhe institucioneve franceze, “shenjë vëllazërimi mes Francës dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit”. /Telegrafi/