Telegrafi

Evropianët theksojnë kushtet për Greqinë

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, i deklaroi gazetës Bild se nuk kishte garanci se Gjermania dhe BE-ja do të aprovonin ndihmën për Greqinë.

Ai tha se vendimi do të varej nga kursimet e vazhdueshme të qeverisë greke.

Ministrja franceze e Financave, Christine Lagarde duke folur për gazetën franceze, Journal du Dimanche tha se Greqia nuk kishte përmbushur zotimet e bëra në të kaluarën.

Ajo tha se lëvrimi i ndihmës duhet të verifikohej në mënyrë strikte.

Ditën e premte Greqia kërkoi aktivizimin e paketës së ndihmës me vlerë 60 miliard dollarë nga partnerët e BE-së dhe FMN-ja.

Kriza e shkaktuar nga deficiti buxhetor në Greqi dominoi edhe takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar me Bankën Botërore.

Në Greqi përfshirja e FMN-së ka krijuar zemëratë në popull dhe janë rritur zërat kundër pranimit të këtij borxhi të madh.

Shefi i FMN-së u përpoq të sigurojë opinionin publik në Greqi lidhur me politikat e institucionit të tij.

Dominique Strauss-Kahn është i ndërgjegjshëm për shqetësimet në Greqi lidhur me politikat që vendit i duhet të ndjekë për të marrë ndihmën financiare.

Ai tha se FMN-ja kishte si objektiv të ndihmonte vendet në vështirësi, por ai nuk hodhi dritë mbi politikat e mundshme.

Besohet se fjala është për më shumë ulje të shpenzimeve. /BBC/