Është koha për politikë pragmatike
Se si duket pragmatizmi politik, e dëshmoi këto ditë më së miri ambasadori gjerman në Beograd, të cilin kur e pyeten për zgjidhjen e problemit midis Serbisë e Kosovës ai tha thjeshtë: “Serbia është shtet, Kosova është shtet. Problemi është zgjidhur”.
Kosova për Serbinë përherë ka qenë dhe mbetet vetëm një pretekst për të goditur jo vetëm atë, por edhe Maqedoninë, edhe Malin e Zi edhe Bosnjën edhe Kroacinë. Me të gjitha këto vende, tashmë sovrane, Serbia ka lënë të hapur së paku një shkas për ndërhyrje.
Kisha ortodokse serbe mban të hapur konfliktin me Maqedoninë përmes Kishës se njohur Prohor Pçinjski. Malin e Zi e njeh vetëm formalisht si shtet ngase kisha ortodokse përmes Amfilohije Radovicit as që duan të dëgjojnë se kjo republike është e pavarur. Akademia Serbe e Shkencave nuk e njeh vet qenien e popullit malazez, as gjuhen e tyre e as edhe një institucion tjetër.
Bosnje e Hercegovinën vazhdon ta mbajë në grusht përmes Republika Serpskës. Qeveria e Beogradit mban mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Banja Llukës, pa u frikësuar për ndonjë pasojë. Serbia madje po pret që, nëse bashkësia ndërkombëtare lëshon pe lidhur me Kosovën, për të shpallur edhe de fakto bashkimin e Republika Serpskës me Serbinë.
Çdo ndryshim i kufijve pas gjithë asaj kasaphane dhe gjenocidit të cilin e pengoi intervenimi i bashkësisë ndërkombëtare do të ishte shpërblim për politiken e pastrimit etnik të cilin e realizoi Serbia.
Serbia frikësohet nga krimet e saj dhe ndarjet e reja nga ajo
Serbia ende ëndërron kufijtë e ish Jugosllavisë me të cilën identifikohej. Serbia kur flitet për kufij nuk mund ta imagjinojë se duhet të kthehet në kufijtë e saj realë. Serbia në kufijtë e tashëm do të duhej të ishte tepër e lumtur. Kufijtë aktualë të Serbisë nuk janë realë. Këtë fakt e di mirë ajo. Politikën e saj aktuale ajo vazhdon ta mbështesë edhe më tutje në projektet e Kishës Ortodokse. Serbia madje herë pas here edhe publikisht thotë se po të pranojë Kosovën, edhe shumë pjesë të tjera të Serbisë do të shpallin pavarësinë e tyre.
Para se gjithash Serbia frikësohet nga pavarësimi real i Vojvodinës, pastaj i Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës. Pavarësimi i Vojvodinës nuk do të ishte kurrfarë befasie kur dihet gjithë historia e kësaj krahine, e cila kurrë njëherë nuk ka qenë serbe, por u bë e tillë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Serbia e di mirë ku përfundojnë realisht kufijtë e saj. Ajo rehatohet vetëm në kufijtë e dikurshëm të Pashallëkut të Beogradit. Serbia e di mirë se si ka dëbuar e shfarosur mbi shtatëqind fshatra shqiptare nga rajoni i Toplicës. Serbia e di mirë se si ka dëbuar e shfarosur popujt etnikë të Vojvodinës; gjermanë, hungarezë, çekë, sllovakë e pakica tjera jo serbe. Serbia e di mirë se si dukej Beogradi gjatë pushtimit osman dhe sa xhami e myslimanë kishte aty në atë kohë.
Serbia ka frikë nga popujt fqinj ngase atyre u ka shkaktuar shumë dhembje. Në të gjitha shtetet që dolën nga shpërbërja e ish Jugoserbisë askush nuk ka frikë nga pakicat etnike autoktone, përveç Serbisë.
Asnjëri nga shtetet që dolën nga ish Jugoserbia nuk rrezikon Serbinë dhe nuk ka pretendime ndaj saj, mirëpo Serbia ka pretendime të hapura territoriale ndaj tyre. Megjithatë, duke ndjekur politikën e Vozhdit, Serbia vazhdon të rrezikojë fqinjët, por gjithsesi edhe kufijtë e saj aktualë, dhe përderisa ajo udhëhiqet me një politikë të tillë, deklaratat për integrime mbesin vetëm kopalla.
Serbia madje ka ligje të mira për të drejtat e pakicave që jetojnë në këtë vend, por asnjë nga ato ligje nuk i zbaton. Në Serbi askush nga pakicat nuk ndjehet i qetë dhe i sigurt ngase të drejtat e tyre nuk respektohen asnjëherë.
Serbia me farsa gjyqësore vazhdon të mbajë sekret edhe fatin e të zhdukurve. Maskarada serbe mbi fatin e të zhdukurve gjatë luftës së fundit po vazhdon. Në vend se të merret me hapjen e varrezave masive, të cilat i di mirë, Serbia vazhdimisht krijon probleme të reja për ta mbajtur nën hije këtë çështje aq tragjike veçanërisht për familjet e të pagjeturve.
Maskarada serbe shihet edhe në organizimin e disa proceseve gjyqësore, në të cilat kinse po dënon autorët e disa masakrave të tmerrshme të civilëve ne Kosovë. Një kontroll i thjeshtë ndërkombëtar do të mund të vërtetonte këtë maskaradë në të cilën nuk dënohet askush.
Megjithëse ende nuk janë zbuluar eshtrat e mijëra njerëzve të zhdukur në luftërat e fundit në Ballkan, megjithëse në Hagë janë dënuar e vazhdojnë të dënohen disa nga ata që komanduan apo që në njëfarë mënyrë ishin përgjegjës për krimet në Kroaci, në Bosnje e në Kosovë, asnjëri nga vrasësit e vërtetë serbë as që është paraqitur para ndonjë gjyqi.
Edhe farsa e gjykimit të atyre që strehuan Mladicin, këto ditë, dëshmoi më shumë se një herë, se kush ishte dhe kush është kreu i krimit.
Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të qëndrojë në krye të të gjitha të zezave që përjetuan e po përjetojnë kroatët, boshnjakët e shqiptarët. Për rolin komandues të KOS-it në të gjitha këto ngjarje ka një mal material të dokumentuar dhe nxjerrja e liderëve të saj në gjyq nuk do të ishte kurrfarë befasie.
Velko Micunovic kërkon Konferencë ndërkombëtare për Kosovën
Velko Micunovic ka harruar kohën kur nënat serbe patën pushtuar Kuvendin e Serbisë, ka harruar kohen kur forcat serbe po digjnin e piqnin njerëz të pafajshëm anë e kënd ish Jugosllavisë. Ka harruar Micunovici edhe shumë krime dhe tash i është shfaqur iluzioni për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën
Micunovic ishte deputet prezent po në atë sallë të kuvendit të Serbisë kur patën hyrë dhunshëm nënat serbe të cilat kërkonin djemtë e tyre nga fronti i luftës. Derisa shumë djem të pafajshëm të nënave serbe, boshnjake, kroate e shqiptare po përfundonin në kasaphanën që e filloi Serbia, Micunovici atyre nënave nuk iu tregoi asnjëherë ku ishin strehuar djemtë e politikanëve serbë në atë kohë.
Ka harruar apo nuk dëshiron të thotë Micunovic se për Kosovën deri tash janë mbajtur shumë konferenca ndërkombëtare dhe Serbia e Micunovicit, asnjëherë nuk ka pranuar asnjë marrëveshje, edhe atëherë kur ishin ofruar kompromise të mëdha e të cilat iu kishin imponuar palës shqiptare. Edhe plani i Ahtisaarit në çfarëdo analize që i bëhet, shihet se ishte një kompromis i madh e i dhembshëm i shqiptarëve. Serbët në Kosovë, në një mënyrë a në një tjetër kanë më shumë të drejta së serbët në Serbi. Ata, po të krahasohen me pakicat tjera dalin skajshmërisht të privilegjuar.
Përmenden nga politikanët serbë monumentet serbe të kultit në Kosovë dhe ruajtja e tyre. Përmenden, por askush nuk e thotë të vërtetën se vetëm shqiptarët janë garanci për ruajtjen e tyre, siç ishin edhe gjatë pesëqind vjetëve të pushtimit osman. Kleri serb e di mirë gjithë të vërtetën për këto monumente dhe historinë që e falsifikoi vet për to. Do të ishte mirë që Micunovic, i cili shumë herë betohej në parime të demokracisë të tregojë kur Serbia ka respektuar një marrëveshje.
Micunovic nuk thotë pse ndodhi lufta në Ballkan?
Serbia promovoi kasaphanën në Kosovë, të cilën e zgjeroi më vonë në të gjitha trevat e ish Jugosllavisë. Megjithëse Kosova nuk kishte emrin e një republike, siç e kishin gjashtë njësi të e tjera federative, ajo kishte kushtetutën dhe shumë të drejta e përgjegjësi për gjithë atë që po ngjante brenda territorit të saj.
Njësitë tjera federative, duke ditur mirë prapavijën e goditjes serbe mbi Kosovën, duke shpresuar se duke i bërë qejfin Serbisë mund të shpëtonin lëkuren e tyre, të gjitha, përveç Sllovenisë, u pajtuan zëshëm apo në heshtje se Kosova duhet të mbetet çështje e brendshme e Serbisë.
Në Kosovë, Serbia ka filluar zbatimin e planit të saj për të vendosur edhe një herë kufijtë e Mbretërisë së saj virtuale. Menjëherë pas këtij akti, Serbia me të gjitha forcat u nis drejtë njësive tjera federative. Miliona dëshmitarë mbajnë mend luftërat e fundit dhe gjithë tragjedinë që përjetuan popujt e ish Jugosllavisë.
E tërë kjo, sot ka filluar të duket si ëndërr, e njerëzit sikur janë të prirë të harrojnë. Duke ndjekur zhvillimet e kohës, Serbia as pas 21 vjetësh prej fillimit të luftës dhe as pas 12 vjetësh të mbarimit të saj nuk informoi asnjëherë auditorin e vet për masakrat që kreu mbi bashkëvendësit e deridjeshëm të saj.
Megjithëse politika serbe futi nën komandën e saj ish APJ-në, nga e cila shumë shpejtë dezertuan të gjithë ushtaret jo serbë, bashkësia ndërkombëtare së paku zyrtarisht kurrë nuk e tha se kush e komandonte atë. Megjithëse po shihej e dihej për dritë të diellit së Jugoserbia kish marrë fund, Serbia po vazhdonte masakrat në emër të ish Jugoserbisë. Serbia po kontaktonte e bisedonte në të gjitha nivelet me bashkësinë ndërkombëtare në emër të ish Jugosllavisë. Megjithëse Slloba kishte shkarkuar të gjithë përfaqësuesit e ligjshëm të Kosovës në Federatë dhe në vend të tyre kishte emëruar përfaqësues të dëgjueshëm, e tëra po pranohej sikur nuk po ndodhte asgjë.
APJ-në, të cilën, edhe ashiqare po e komandonte vozhdi, e urdhëroi të fillonte pushtimin e Sllovenisë dhe kur atje u thye gjithçka, sllovenët po dëshmonin se e kishin njëmend pavarësinë.
Kroacia, megjithëse shihte duke u djegur fqinji i saj verior, ende nuk po besonte se Serbia e ka njëmend vendosjen e vijës kufitare Karlovac Karlobag Viroviticë. Ndarja e Sllovenisë, për Serbinë nuk ishte dhimbje e madhe, por pavarësimin e Kroacisë nuk do mund e pranonte pa luftë.
Derisa kasaphana po zhvillohej në derë, Bosnja e Hercegovina, vetëm po protestonte verbalisht. Gjithçka po i ngjante ëndrrës se gomarit, të cilin ujku e kishte ngrënë gati deri në zemër, ndërsa ai po i thoshte veti: “ishalla jam ëndërr”.