Shqipëria po përballet prej ditësh me temperatura të larta për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë të gjithë Evropën.
Dy deri tre qarqe të vendit po përjetojnë temperatura ekstreme. Ndërsa gati e gjithë Evropa ka vendosur alarmin e kuq, në Shqipëri ende nuk është marrë një masë e tillë.
Meteorologia e Metoalb, Lajda Porja ka shpjeguar se përse në Shqipëri ende nuk është vendosur alarm i kuq.
Ajo shprehet se numri i ditëve me temperatura të larta duhet të jetë mbi 5-6, ndërsa Shqipëria pritet të përballet me temperatura ekstreme.
“Ndodh kur numri i ditëve me temperature të larta është i lartë dhe kalojnë pesë deri në gjashtë ditë në valën e të nxehtit afrikan. Kjo valë është 21 ditë me temperatura mbi 40 gradë. Shqipëria ka vetëm tre ditë, sot, nesër dhe pasnesër pritet. Evropa, Italia, Greqia, Spanja kanë shumë ditë dhe janë me temperaturë 42 gradë në dy apo tre qarqe”, tha meteorologia Lajda Porja.
Temperaturat maksimale sot kanë prekur vlerat 41 gradë Celsius në Shkodër, Elbasan dhe Berat.
Qendra e koordinimit të reagimit ndaj emergjencave të BE-së lëshoi alarme të kuqe për temperatura të larta për pjesën më të madhe të Italisë, Spanjën verilindore, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën jugore dhe Malin e Zi.
Në Itali, temperaturat në ishullin e Sardenjës arritën në 45 gradë Celsius dhe në Romë arritën në 40 gradë Celsius të martën, pasi Ministria e Shëndetësisë lëshoi alarme të kuqe të motit për 20 nga 27 qytetet kryesore të vendit, me numrin që pritet të rritet në 23 sot.
Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar qytetarët, kryesisht të moshuarit dhe personat vulnerabël, për kujdes të shtuar në përballimin e të nxehtit përvëlues.
Kujtojmë se rreth 61,000 njerëz mund të kenë vdekur nga valët e të nxehtit vitin e kaluar vetëm në Evropë. /Tch/Telegrafi/