Telegrafi

Evropa nuk do t’i përkulet SHBA-ve për tregtinë

Evropa nuk do ti përulet kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara mbi tregtinë dhe kërkon të gjejë një zgjidhje nëpërmjet negociatave, sipas ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.

Komentet e tij vijnë përpara se Komisioni Evropian të bisedojë me Uashingtonin mbi çështjet e lidhura me tregtinë. Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker, pritet të takojë presidentin amerikan Donald Trump këtë javë, për të diskutuar mbi tarifat amerikane ndaj çelikut dhe aluminit evropian si dhe për kërcënimet e tij mbi makinat që prodhohen në Bashkimin Evropian.

“Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar. Shpresoj që do të arrijmë në një zgjidhje nëpërmjet konsensusit dhe jo me kërcënime”, tha ministri gjerman.

Trump ka kritikuar prej kohësh tarifat e larta të Bashkimit Evropian për importet e makinave dhe e ka përshkruar bllokun si një “armik” tregtar. Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ndërkohë që tarifat për importet e makinave janë më të mëdha se ato që aplikohen në SHBA, barrierat amerikane për produkte të tjera si kamionët, janë më të larta.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se ulja e tarifave për makinat, mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje tregtare më të gjerë. Heiko Maas, që pritet të vizitojë Japoninë dhe Korenë e Jugut, vende që janë kërcënuar gjithashtu nga tarifat amerikane, tha se askush nuk ka interes të vendosë barriera tregtare.

“Në fund, të gjitha palët do të humbasin, përfshirë Amerikën”, tha ai. /Telegrafi/