Telegrafi

Evropa në një ‘pikë kritike’ për shkak të rrezikut nga varianti i ri i coronavirusit, thotë OBSH

Vendet evropiane janë në një “pikë kritike” të pandemisë, ka thënë drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa infeksionet rriten me shpejtësi dhe kërcënimi i një varianti të ri të virusit po vazhdon të përhapet.

“Ne mbetemi në kthetrat e COVID-19 ndërsa rastet rriten në të gjithë Evropën dhe ne trajtojmë sfida të reja të sjella nga varianti i virusit. Ky moment përfaqëson një pikë kthese në rrjedhën e pandemisë”, citohet të ketë thënë Hans Kluge, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Varianti më i transmetueshëm është zbuluar tashmë në 22 vende në rajonin Evropian të OBSH-së, tha ai, duke theksuar se vendet duhet të “intensifikojnë” masat për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Zyrtarët shëndetësorë gjithashtu presin që infeksionet mund të vazhdojnë të rriten pas pushimeve, me Kluge që ka deklaruar se aktualisht ekziston një “pamje jo e plotë e situatës aktuale epidemiologjike” me më pak testime rreth Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Dhe megjithëse disa vende në Evropë, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet anëtare të BE-së, kanë filluar vaksinimet, zyrtarët e OBSH-së paralajmëruan vendet që të mos heqin dorë nga kufizimet.

Kluge mendon gjithashtu se megjithëse “imuniteti i tufës” është një “pikë e dëshiruar përfundimtare”, vendet do të duhet së pari të zvogëlojnë përhapjen e virusit, pjesërisht sepse është ende e panjohur për sa kohë vaksinat do të parandalojnë infeksionin.

Vaksinimet mund të “ushtrojnë presion” mbi virusin dhe zyrtarët nuk e dinë “se si vetë virusi do të vazhdojë të ndryshojë”, thotë Catherine Smallwood nga programi i urgjencave të OBSH-së.

Ndryshe, rajoni evropian tashmë ka vuajtur jashtëzakonisht shumë për shkak të pandemisë, me 26 milionë raste të konfirmuara dhe më shumë se 580,000 vdekje. /Telegrafi/