Telegrafi

Evropa kërcënon Greqinë për borxhin publik

Komentet nga Axel Weber, presidenti i Bankës Qendrore të Gjermanisë, duket se synojnë të shtojnë presionin mbi qeverinë e re socialiste në Athinë, pasi u zbulua se buxheti i Greqisë është në gjendje shumë më të keqe nga sa qe menduar më parë.
Të martën, agjencia e vlerësimit të borxheve "Fitch", e uli Greqinë në gradën BBB plus. Për herë të parë në dhjetë vjet, Greqia mori një vlerësim më të keq se A. Vlerësuesi tjetër "Standard & Poor‘s" ka paralajmëruar se mund ta ulë gjithashtu në gradën B.
Vlerësimi BBB jepet për shtete të cilësisë së mesme, të cilat vlerësohen në gjendje të kënaqshme për momentin, por mbartin pasiguri për të ardhmen. Para krizës ekonomike botërore, BQE pranonte vetëm borxhe të vlerësuara me A si kolateral, por ky qëndrim u pezullua për të lehtësuar krizën.
Ministrat europianë të Financave kanë filluar veçmas procedurat për t‘i vendosur sanksione Greqisë për tejkalim të deficitit buxhetor, i cili në kuadër të marrëveshjes së krijimit të euros, nuk duhet të jetë më i lartë se 3 për qind.
Zemërimi ndaj Greqisë u shtua veçanërisht për shkak se për herë të disatë brenda një dekade, statistikat e Athinës rezultuan të gënjeshtërta.

Në fillim të vitit, parashikohej që deficiti buxhetor i Greqisë të qe më i lartë se 3 për qind, por së fundmi u zbulua se do të jetë 12.7 për qind të PBB-së.