Evropa është sërish epiqendra e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 dhe duhet të ndryshojë taktikat për të luftuar coronavirusin, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Ne jemi përsëri epiqendra. Shkalla aktuale e infeksionit në 53 vende të rajonit evropian (që në klasifikimin e OBSH përfshin edhe vendet e Azisë Qendrore) është shumë shqetësuese. Sipas një projeksioni të besueshëm, nëse qëndrojmë në këtë trajektore, mund të ketë gjysmë milioni njerëz të tjerë të vdekur nga Covid-19 në Evropë dhe Azinë Qendrore deri më 1 shkurt”, kishte paralajmëruar drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge në një video-konferencë të enjten.
Kluge e mbështeti pretendimin e tij se Evropa ishte edhe një herë epiqendra e pandemisë me faktin se në Evropë kemi kumulativisht më shumë njerëz të infektuar me Covid-19 – 78 milionë, përcjell Telegrafi.
“Ne duhet të ndryshojmë taktikat – në vend që t’i përgjigjemi rritjes së rasteve, ne duhet të parandalojmë atë”, ka thënë tutje Kluge, duke paralajmëruar se “aty ku përdorimi i vaksinës është i ulët, në shumë vende baltike, Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan, normat e pranimit në spitale janë të larta”.
Por cila është situata me COVID-19 në Ballkan?
Sllovenia
Sllovenia, përkundër regjimit të rreptë, ka një shpërthim real të rasteve të reja në javët e fundit.
Aktualisht është e dyta në Evropë, menjëherë pas Estonisë dhe me tendencë për ta kaluar atë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas Index.hr, në këtë vend spitalet gjithashtu po mbushen gjithnjë e më shumë me pacientë me Covid-19, si dhe njësitë e kujdesit intensiv.
Situata në spitale, sipas epidemiologëve, tregon se qeveria sllovene duhet të “tërheqë frenën e dorës” menjëherë në formën e një bllokimi dhe të rishpall epideminë, sepse në të kundërtën do të ketë “kolaps të sistemit shëndetësor”.
Dhe Qeveria sllovene njoftoi të shtunën se po prezantonte masa të reja: kufizimin e orarit të hapjes së restoranteve në 22:00, kufizimin e numrit të mysafirëve dhe klientëve në dyqane dhe mbylljen e klubeve të natës.
Ndryshe, Sllovenia ka 1291.3 raste të reja në ditë për milion banorë (mesatarja javore); 36.6 vdekje për milion banorë në javën e fundit; 66.4 pacientë në kujdes intensiv për milion banorë (31 tetor); si dhe 54% e banorëve janë të vaksinuar plotësisht.
Kroacia
Qeveria kroate dhe Shtabi Kombëtar i Mbrojtjes Civile, pas një rritjeje thuajse eksponenciale të rasteve në tre javët e fundit dhe thyerjes së rekordit të të infektuarve rishtas brenda një dite, vendosën të zgjerojnë regjimin, i cili deri më tani ka qenë i kufizuar në koncerte, konferenca dhe ngjarje të tjera.
Por nga data 15 nëntor, certifikatat e vaksinimit do të jenë të detyrueshme për të gjithë përdoruesit dhe punonjësit e shërbimeve publike dhe shtetërore.
Ndërsa nga e shtuna, kufizimi i tubimeve pa konfirmime të Covid-it është ulur në 50 persona.
Kroacia është aktualisht në vendin e katërt në Evropë për nga numri i të infektuarve – vetëm tre vende baltike dhe Sllovenia janë para saj.
Mediumi kroat Index.hr ka treguar të dhënat e fundit nga ky vend, duke bërë të ditur se ka 965.7 raste të reja në ditë për milion banorë (mesatarja javore); 56.8 vdekje për milion banorë në javën e fundit; 267.3 të shtruar në spital për një milion banorë (24 tetor); si dhe 44.4% e banorëve të vaksinuar plotësisht.
Serbia
Në tetor, Serbia prezantoi një regjim shumë të kufizuar. Megjithatë, pas një rritjeje shpërthyese të rasteve që nga gushti, kurba epidemiologjike ka qenë në një lloj rritje për gjashtë javët e fundit.
Ajo është ende në krye të Evropës, por përpara saj janë vendet baltike dhe nga e premtja, Kroacia dhe Mali i Zi, që e kanë kaluar atë.
Si pasojë, epidemiologët po u kërkojnë autoriteteve të vendosin një bllokim tre-javor për të luftuar valën e katërt katastrofike.
Sipas të dhënave, në Serbi, numri i vdekjeve ka pasur një rritje të vazhdueshme që nga shtatori, por inkurajues është fakti se kjo rritje është ndalur në javën e fundit.
Më pas është bërë e ditur se në Serbi ka 879.2 raste të reja në ditë për milion banorë (mesatarja javore); 64.4 kanë vdekur për një milion banorë javën e fundit; 40.1 pacientë në kujdes intensiv për milion banorë (4 nëntor); si dhe 43.6% e banorëve të vaksinuar plotësisht.
Rumania
Një vend tjetër që është theksuar nga mediumi kroat është edhe Rumania, e cila regjistroi numrin më të madh të vdekjeve këtë javë dhe kishte 591 vdekje nga Covid-19 të hënën.
Ky vend ishte në krye të Evropës për sa i përket numrit të njerëzve në kujdes intensiv deri pak ditë më parë, kur u tejkalua nga Bullgaria fqinje, shkruan Index.hr, përcjell Telegrafi.
Sa i përket numrit të viktimave, ai është ende në “vendin e parë të zi”, me rritje shpërthyese muajin e fundit.
Është e pazakontë që Rumania, në të njëjtën kohë, ka shumë më pak raste sesa vendet që janë në krye të tregut evropian në këtë variabël, përfshirë Kroacinë, që mund të jetë rezultat i testimit të pamjaftueshëm.
Sa i përket të dhënave, ky vend ka 517.1 raste të reja në ditë për milion banorë (mesatarja javore); 165.9 vdekje për milion banorë në javën e fundit; 98 pacientë në kujdes intensiv për milion banorë (31 tetor); si dhe 33.5% e banorëve janë të vaksinuar plotësisht.
Por cila është gjendja në Kosovë?
Së paku sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, situata në Kosovë mund të vlerësohet si e qëndrueshme.
Për shembull, më 7 nëntor të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka informuar se nga 2.174 testime, 19 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Për fat të mirë, gjatë 24 orëve të fundit (sipas të dhënave të kësaj date), nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.
Ndërsa, sipas të dhënave të datës 6 nëntor 2021, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.581.266 doza të vaksinës ndërkohë që rreth 739.997 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Ndërkohë, në një komunikatë të datës 4 nëntor 2021, Ministria e Shëndetësisë kishte informuar qytetarët e Republikës së Kosovës se duke filluar nga data 5 nëntor ata mund të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit në Kosovë, pa termin të caktuar paraprakisht.
“Ministria e Shëndetësisë vlerëson se tashmë një numër i konsideruar i qytetarëve të grup-moshave të ndryshme janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe kjo e bën edhe më të lehtë menaxhimin e procesit të vaksinimit në çdo qendër, ku përmes ekipeve të vaksinimit në dispozicion, ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve për vaksinim”.
Sidoqoftë, pavarësisht situatës stabile, MSh u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kompletojnë procesin e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.
“Në Kosovë vaksinimi kundër COVID-19 është i lejuar për të gjithë qytetarët nga mosha 12 vjeçe e lart.
Në këtë kohë kur në shtete të ndryshme të Evropës, por edhe në rajon po regjistrohen shifra shumë të larta të infektimeve me COVID-19 me dominim të variantit Delta, vaksinimi i popullatës mbetet rruga më e sigurt për ta mbajtur situatën e qetë epidemiologjike në vendin tonë dhe për të arritur imunitetin kolektiv”, ishte thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. /Telegrafi/