Erling Haaland ka shkëlqyer në këtë fillim sezoni me Manchester Cityn, duke u bërë një nga transferimet më të mëdha të Citizens.
Kampioni në fuqi i Anglisë është favorit për ta mbrojtur titullin, derisa konsiderohet si ndër favoritët kryesorë edhe për ta fituar Ligën e Kampionëve.
Për norvegjezin ka folur edhe ish-mbrojtësi francez Patrice Evra, që ka thënë se City ka marrë një top sulmues në radhët e veta.
“Haaland është një monstër, ai e përdor shumë mirë fizikun e tij dhe në zonë është një “vrasës” i vërtetë. Lëviz gjithnjë në mënyrën e duhur, është si një “mace””, deklaroi Evra.
“E ka futur skuadrën në rrugën e duhur sepse Haaland është një numër nëntë i vërtetë”.
Evra ka thënë se tani nuk ka më justifikime për Manchester Cityn për ta fituar Ligën e Kampionëve, pasi në radhët e veta kanë një top sulmues.
“City e fitonte kampionatin edhe pa sulmues, por tashmë nuk kanë më justifikime sa i përket Ligës së Kampionëve”.
“Më parë kanë vuajtur në Evropë, por me Haaland është tjetër histori. Kur humbën me Chelsean në finale, Guardiola luajti pa sulmues, por tashmë diçka e tillë nuk ndodh më”, tha legjenda franceze. /Telegrafi/