Shumë nxënës nuk po vijojnë mësimin në shkollën “Bedri Tahiri” në Sfillare të komunës së Sarajit, për shkak se ka disa ditë që nuk punon ngrohja qendrore. Drejtori i shkollës, Neim Rexhepi tha se problem është tensioni i ulët i rrymës dhe se kompania EVN Maqedoni nuk po e zgjidh atë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Arsyet janë shkaku i rrymës elektrike, shkollën e kemi me nxehje qendrore dhe për fat të keq kemi pengesa në rrymën elektrike. Ne si shkollë kemi kërkuar nga stacioni i rrymës në Gjorgje Petrovë dhe kemi biseduar me drejtorin intervenohet në problemin mirëpo vetëm 5 minuta zgjat furnizimi me rrymë mandej përsëri i njëjti problem“, u shpreh Neim Rexhepi, drejtor i SH.F “Bedri Tahiri”.
Ai tha se disa herë kanë dërguar kërkesa me shkrim tek EVN-ja, por deri tani nuk është ndërmarrë asgjë konkrete për përforcimin e energjisë elektrike. Nga kjo shkollë theksojnë se të gjitha faturat e energjisë i shlyejnë me kohë dhe nuk kanë borxhe.
Hatixhe Devaja njëra prej edukatoreve thekson se nga mungesa e ngrohjes ka bërë që të mungojnë edhe shumë nxënës.
“Po në këtë klasë ku numërojmë 19 nxënës afër 4 dit nuk kemi pasur nxehje qendrore, kurse sot siç mund të shihni kanë ardhur vetëm 6 nxënës, sepse nuk kanë qenë të informuar se sot është lëshuar nxehja. Kurse Prindërit ankohen se mësimi nuk zhvillohet rregullisht”, tha Hatixhe Devaja, edukatore.
Nga kompania EVN Maqedoni nuk ka përgjigje edhe pas insistimeve të TV21 për të marrë prononcimin e tyre se kur pritet që të rregullohet ky problem, pasi që sipas drejtorisë së shkollës, nxënësit po humbasin shumë me mësime. /Telegrafi/