Site icon Telegrafi

EVN është duke i shqyrtuar kërkesat e qytetarëve të Tetovës (Video)

Tetovarët ia treguan dhëmbët EVN-së duke protestuar… dhe sot kompania që menaxhon me energjinë elektrike, EVN Maqedoni i ftoi ata në takim, njofton TV 21.

Pas dy orësh, të dy palët dolën me qëndrim të njëjtë por duke mos dhënë asgjë konkrete.

EVN-Maqedoni thotë se po shqyrtohen kërkesat e qytetarëve të Tetovës por nuk japin afat se kur do të fillojnë që t’i zbatojnë të njëjtat. Zëdhënësi Atanas Kovacevski tha se ka kërkesa të arsyeshme të konsumatorëve, duke mos i precizuar se cilat janë ata.

“Ku duhet që të vendoset trafo-stacion i ri ndoshta kemi afate kohore që duhet të na i caktoj Komuna, për këtë arsye nuk mund të themi konkretisht se prej kur do të fillojmë. Por me rëndësi është që ne do fillojmë që të shqyrtojmë kërkesat menjëherë. Për lëshimin e faktuarve në gjuhën shqipe gjetëm një zgjidhje por edhe për çështjet tjera biseduam, kemi bërë marrëveshje dhe do t’i zgjidhim në një të ardhme të afërt”, tha ai.

Nga “Këshilli i qytetit të Tetovës kundër EVN-së” nuk deshën të komentojnë shumë, por thanë se kanë marrëveshje për t’i zgjidhur problemet. Tani ata po presin përgjigjen me shkrim për kërkesat që i adresuan EVN-së këtë të premte.

“Pas takimit të sotëm, ku patëm një diskutim të hapur dhe konstruktiv ku morëm premtim se problemet që i takojnë EVN-së hap pas hapi do të rizgjidhen. Përgjigje me shkrim do të marrim në ditën në vijim dhe do të ju informojmë të gjithëve”, tha Blerim Fejzulli, anëtarë i Këshillit të qytetit të Tetovës kundër EVN-së.

Ndryshe, qytetarët e Tetovës protestuan disa herë me radhë kundër EVN-së dhe çmimeve të larta. Protesta e fundit u mbajt të premten (10.02.2017) ku organizatorët e protestës dërguan disa kërkesa deri tek përfaqësia e EVN-në Tetovë. Pasi shqyrtoj kërkesat, EVN-Maqedoni pranoj kërkesën e qytetarëve për tu takuar. /Telegrafi/

Exit mobile version