Site icon Telegrafi

Evakuohen pjesëmarrësit e festivalit “Mirëdita, dobar dan” pas alarmit për bombë

Në e-mailin e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), një prej organizatave që organizon festivalin “Mirëdita, dobar dan”, ka mbërritur një raport për vendosjen e një bombe.

Njoftimi erdhi menjëherë pasi festivali, i cili prezanton skenën kulturore dhe sociale të Kosovës në Serbi, u hap zyrtarisht të enjten rreth orës 18:00 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në qendër të Beogradit.

Është bërë e ditur se publiku dhe pjesëmarrësit do të evakuohen nga qendra në mënyrë që policia të kontrollojë hapësirën.

“Ne besojmë se ky është një tjetër presion mbi festivalin,” tha Sofija Todoroviq nga YIHR.

Një ditë para ceremonisë zyrtare të hapjes së festivalit, më 25 maj, në Beograd u hap ekspozita me fotografi “Të gjithë lotët tanë” kushtuar viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi, e cila është gjithashtu pjesë e programit të festivalit.

Nga ora 19:00 ishte planifikuar të luhej shfaqja “Stifler” me regji të Kushtrim Koljiqit.

Gazetarët e RSE raportojnë se nuk ka grupe të krahut të djathtë të mbledhur para Qendrës për Dekontaminimin Kulturor.

Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që nga themelimi i tij në vitin 2014, është shoqëruar me protesta të organizatave dhe partive të djathta në Serbi – ata kërkuan ndalimin e festivalit dhe tentuan të pengojnë mbajtjen e tij.

Programi i festivalit të nëntë, sipas organizatorëve, është një ndërthurje e artit, skenës bashkëkohore kulturore dhe ngritjes së çështjeve të rëndësishme në kohëra që janë sfidë e madhe për Kosovën dhe shoqërinë serbe.

“Ka një hendek të madh midis shoqërisë serbe dhe asaj kosovare. Festivali po përpiqet ta zvogëlojë atë hendek derisa të zhduket, ndërsa elitat politike po punojnë për ta thelluar atë,” tha për Radion Evropa e Lirë (RFE) Fiona Jelici nga organizata për të drejtat e njeriut (YIHR), një nga organizatat që organizon festivalin.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet në Beograd që nga viti 2014, me qëllim të krijimit të një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

Përpara hapjes së ekspozitës “Të gjithë lotët tanë”, aktivistët e Partisë së djathtë Demokratike të Serbisë kanë mbajtur të mërkurën një protestë përpara sallës “Enxhio hab”.

Kryetari i kësaj partie, Millosh Jovanoviq, ka thënë se festivali promovon pavarësinë e Kosovës, e cila, sipas tij, cenon rendin kushtetues të Serbisë.

Partia Demokratike e Serbisë (DSS) protestoi përballë “Engio Hub”, duke kërkuar anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, 25 maj 2022.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.

Ndryshe, javëve të fundit, ka pasur disa kërcënime të rreme me bomba në adresa të ndryshme në Serbi, por edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor./REL

Exit mobile version