Telegrafi

Eurozonë, rriten çmimet në prodhim

Sipas të dhënave të Eurostat çmimet e produktit përfundimtar në fabrikat e eurozonës u rritën në mars me 0.7 për qind në normë mujore dhe me 6.7 për qind në normë vjetore. Sondazhet e kryera me analistët e tregut paralajmëruan për rritje jo më shumë se 0.6 për qind në normë mujore dhe me 6.6 për qind në normë vjetore.

Në parim rritja e çmimeve nga prodhuesit, në rast se nuk absorbohet nga ndërmjetësit apo nga shitësit e pakicës, ajo transmetohet tek çmimet e konsumatorëve dhe për pasojë është një sinjal i fortë për rritej të presionit inflacionist. Banka Qendrore Europiane synon të ruajë një normë inflacioni pranë dhe jo më shumë se 2 për qind në termat afatmesëm.

Në muajin e kaluar kjo bankë rriti me 0.25 për qind në 1.25 për qind normën bazë të interesit për të kontrolluar rritjen e inflacionit konsumator me 2.8 për qind në normë vjetore për prillin kundrejt 2.7 për qind në muajin mars. Çmimet e prodhuesve u rritën në mars për shkak të çmimeve të energjisë që në këtë muaj u rritën kundrejt muajit shkurt me 1.9 për qind dhe në normë vjetore me 13 për qind. Duke përjashtuar inflacionin e paqëndrueshëm në energji dhe në ushqime, inflacioni thelbësor në prill u rrit në normë mujore me 0.2 për qind dhe në normë vjetore me 4.5 për qind. /Telegrafi/